Sipas tyre, shumica e re deri tani është sjellë në mënyrë të arsyeshme kurse askush nuk do të mund të pengojë hapin e ardhshëm të tyre, si grup i koordinuar prej 67 deputetësh.
“Kemi edhe plan dhe strategji dhe në një kohë shumë të shkurtër, shumica në Kuvend do ta marrë përgjegjësinë dhe detyrimin edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit edhe për zgjedhjen e Qeverisë së re reformuese dhe vlerësojmë se kjo është gjëja më e mirë edhe për qytetarët. Planin nuk mund ta bëjmë publik në këtë moment, në interest ë të gjithë qytetarëve por ajo që ne do të bëjmë është në ëprputhje me Kushtetutën, me rregullativën ligjore dhe rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Lupço Nikollovski, LSDM.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së e cila poashtu me fjalët e njëjta, kundërshton kërkesat e përbashkëta të partive shqiptare, formimin e Qeverisë së re dhe çdo iniciativë të mundshme të shumicës së re.
“ Populli nuk lejon as formimin e Qeverisë tiranase dhe as realizimin e platformës tiranase. Popullit nuk i interesojnë faturat e Zaevit. Për këtë LSD-ja është në panik. LSD-ja është e vendosur që faturat e saj t’i paguaj me shitjen e interesave më të larta shtetërore. Për këtë populli është në këmbë. Populli po zgjohet”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Partia e Gruevskit kërkon zgjedhje të reja, alternativë kjo e hedhur poshtë nga të gjithë partitë tjera parlamentare. Për tre javë rresht, deputetët nuk arritën të votojnë për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe për Kryetarin e ri të Kuvendit, pika të cilat shumë pak kanë qenë temë debati. Kryefjalë e debatit ka qenë e ashtuquajtura “platformë e Tiranës”, formimi i Qeverisë së re, akuzat për krim të organizuar mes palëve dhe tema tërësisht dytësore për seancën. Lista e deputetëve të paraqitur për fjalime edhe më tej mbetet e gjatë kurse nuk kanë pasur fund replikat dhe kundër-replikat, kryesisht mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët nuk e mohojnë se kjo është një strategji për pengimin e vazhdimit të seancës.






















