Megjithatë, ministri që e drejton këtë ministri, Arban Abrashi, nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Ai i tha KosovaPress-it se “jemi në konsultime të brendshme”.
Përndryshe, rishikimi i listave të veteranëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta është kërkuar edhe nga disa përfaqësues të organizatave të dala nga lufta me arsyetimin se listat janë keqpërdorë.
Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se Komisioni që i ka hartuar këto lista nuk e ka kryer punën siç duhet.
Qeriqi ka thënë se për t’i verifikuar këto lista mund të bëhet një auditim i pavarur në mënyrë që të pastrohen listat, pasi sipas tij, në kontakte me qytetarë është vërejtur se ka shumë dyshime për këto lista.
“Ne për t’i verifikuar këto lista kemi kërkuar një auditim të pavarur në mënyrë që të pastrohen këto lista, nuk mundet ky komision tash t’i pastroj këto lista sepse janë vet anëtarët e këtij komisioni të cilët i kanë fryrë listat. Mirëpo, në këtë rast, nuk po shihet një vullnet nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë probleme me FMN-në, është çështje e tyre, ne në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë që pensionet e veteranëve të bllokohen sepse është që qeveria vet i ka fryrë këto lista”,
Edhe sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë për KosovaPress se listat e veteranëve të nxjerra nga Komisioni qeveritar janë të fryra.
Ai thotë se me këtë çështje do të duhej të merrej drejtësia.
“Komisioni i verifikimit të këtyre listave ka qenë shtetëror dhe shteti mund edhe ti verifikoj përsëri, është çështje shtetërore do me thënë komision shtetëror i cili do të mund ti verifikonte përsëri ato lista. Dhe ne si organizatë e Veteranëve kemi konsideruar që me të vërtetë kanë qenë të fryra mirëpo ata ndërhyrjet në pensione që i marrin veteranët nuk mund ti bëjnë për arsye se ligji atyre ua përcakton. Sa i përket verifikimit mund të bëjnë por më shumë është me të thënë të drejtën çështje e organeve të drejtësisë që të merren sepse aty këtu ka edhe shkelje ligji ose manipulimi të atij procesi”, ka deklaruar ai.
Sipas Klinakut, numri i veteranëve të paraqitur në lista është i dyfishuar.
Mirëpo, Klinaku ka shtuar se komision tjetër nuk mund të ketë, pasi sipas tij UÇK nuk ka komandantë tjerë.
Ai tha se komandantët që i kanë përpiluar listat duhet me qenë të kujdesshëm dhe t’i përcaktojnë kategoritë në bazë të ligjit dhe nëse është bërë ndonjë lëshim të përmirësohet.






















