Linja e Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka përfunduar tashmë dhe është përuruar nga kryeministrat e dy vendeve, Isa Mustafa i Kosovës dhe Edi Rama i Shqipërisë. Ceremonia u zhvillua në Kashar të Tiranës.
Kryeministri kosovar Mustafa tha se “bëmë një mrekulli. Sot ndjehem krenarë që inaguruam këtë pjesë të punimeve. Për garancinë e këtij projekti flasin partnerët tanë. Energjia është tepër e rëndësishme për zhvillimine dy vendeve tona si kusht për rritjen e investimeve të brendshme dhe të jashtme. Dhe kështu përmbushëm dhe zotimet tona për një sistem të qëndrueshëm energjitik që do të zgjerohet edhe me shtete të tjera.
Viite të tëra kompaninë tona kanë pasur kufizime në furnizimin me energjinë, por lista e interkonjeksionit është rruga e jetës, është një arterie e rëndësisë së veçantë për zhvillimin e dy vendeve tona.
Projekti si ky hapin shtigje të reja për zhvillimin në rajon. Sëbashku me Kryeministrin Rama do të marrin pjesë javën tjetër në Samitin e Parisit ku do të jepen shumë projekte të tjera rajonale për vendet tona, theksoi Mustafa.”
Ndërsa kryeministri Rama tha se “përurimi më në fund i një projekti strategjik për zhvillimin e përbashkët dhe për bashkimin kombëtar parë me sytë e shekullit të ri, përbën pa asnjë dyshim sesa shumë kemi bërë dhe sa shumë punë mund të bëjmë sëbashku. Një projekt që duhet të kishte përfunduar qysh në vitin 2011 dhe që përfundon sot, pasi me vullnet të përbashkët nisëm punimet në fillim të vitit 2014.
Sot krijojmë premisat për një treg të përbashkët energjie. Ne jemi të vetëdijshëm se Shqipëria dhe Kosova nuk janë të mjaftueshme në fushën e energjisë. Nëse në Kosovë 97% e energjisë vjen nga termocentralet, në Shqipëri thuajse e gjitha vjen nga hidrocentralet. Mjafton kjo pamje që të kuptojmë sesi të shfrytëzojmë burimet e njëri-tjetrit, sesi burimet e padiversifikuara t’i shndërrojmë në një hapësirë të diversifikuar në shërbim të shqiptarëve në të dy anët e kufirit dhe falë një koordinimi të plotë mes dy shteteve.
Ne kemi filluar krijimin e një burse shqiptare të energjisë. Ajo që na ka dhënë Zoti apo natyra është e jashtëzakonshme, një pasuri që mjafton të kemi vizionin e duhur dhe të ecim para me vullnetin e duhur për një transformim në funksion të rritjes ekonomike dhe mirëqënies së njerëzve tanë duke e kthyer gjithë këtë pasuri në një pasuri që jo vetëm nuk shkon dëm por prodhon mirëqënies. Ne sëbashku jemi të fuqishëm dhe të integruar në tregun europian të energjisë.
Është shumë e rëndësishme për ne të prezantohemi me suksesin e këtij projekti dhe të çojmë përpara projektin tonë ambicioz për tregun rajonal të energjisë. Kemi gjetur veshin e duhur në procesin e Berlinit që na siguroi financimin për linjën e interkonjeksionit me Malin e Zi dhe kalimin nga një epokë izolimi në një epokë të re.
Autostrada e re energjitike që fillon me Maqedoninë e vazhdon e Turqinë, do të lidhë dhe Italinë e vazhdon më tej me Evropën qëndrore dhe do të krijojë mbi 500 milionë euro shtesë në llogarinë e Shqipërisë,” theksoi Rama.















