Kryetari i Asamblesë Kombëtare të NISMA-s, Jakup Krasniqi dha arsyen pse NISMA ia ka besuar kandidaturën Isa Xhemajlajt.
“Në çdo moment të rëndësishëm të vendit, Isa e ka dhënë kontributin e tij. Në kohën më të vështirë, ai ka qenë mësues duke i mësuar fëmijët, pastaj njëri nga ushtarët e parë të UÇK-së dhe sot vazhdon të jetë zyrtar në Ministrinë e FSK-së dhe kjo është arsyeja që ky njeri është njeriu i duhur për ta qeverisur Drenasin”, tha Krasniqi.
“Me Isa Xhemajlajn kryetar komuna e Drenasit nuk do të jetë komuna më e varfër në Kosovë sepse paratë e juaja do të kthehen në investime kapitale, e jo siç ka ndodhur deri sot në xhepat e disa personave”, shtoi ai.
Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, në hapjen e fushatës për zgjedhjet për kryetar të Drenasit, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votohet për kandidatin e NISMA’s, Isa Xhemajlaj.
Kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj, tha se isha në fshatin Korreticë dhe aty mora vesh se ky fshat ka 6 vjet që është pa furnizim të ujit.
“Kam parë shumë të diplomuar në fusha të ndryshme të cilët kanë humbur shpresën për punë, kam parë shumë varfëri kudo që kam shkuar në këtë komunë. Prandaj, koha është për të ndryshuar, dhe ndryshimi vjen me Isa Xhemajlaj për kryetar të komunës së Drenasit”, ka thënë Limaj.
Limaj tha se nuk kemi asnjë dilemë që ndryshimi ka ardhur në Drenas, ky njëri është kthyer në besim për të gjitha shtresat e shoqërisë në Drenas. Të bashkohemi të gjithë rreth tij, t’i japim përkrahje, ta votojmë më 4 dhjetor Isa Xhemajlaj, në mënyrë që ta ndryshojmë Drenasin.
Isa Xhemajlaj u shpreh se ‘qeverisjes së keqe në Drenas i ka ardhë fundi’.
“Ne sot u themi ‘boll më’ atyre që ua dhamë besimin dhe na tradhtuan këtë besim, atyre që na zhgënjyen me premtime të rrejshme, atyre që e lanë Drenasin qytetin më të varfër në Kosovë”, tha kandidati për kryetar të komunës.
“Na keni lodhur dhe nuk mund të durojmë më”, tha ai ndërsa salla me simpatizantë shpërtheu në duartrokitje.
Zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit po mbahen për shkak se kryetarit të kaluar, Nexhat Demakut, Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në akuzat për krime të luftës, ndërsa mandati i kryetarit të zgjedhur më 4 dhjetor dorë zgjasë më pak se një vit.


























