Qëllimi i këtij debati ishte përcaktimi i kritereve minimale të funksionimit të demokracisë së brendshme pasi që paritë politike në Kosovë konsiderohen si institucione më së paku të besuara në raport me institucionet tjera.
Lidhur me këtë KDI publikoi gjatë kësaj tryeze punimin “Shqyrtimi i praktikave të ligjit për partitë politike”.
Në hapje të tryezës, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi se demokracia e brendshme e partive politike nuk është mirë e konsoliduar, ndërsa aspektet ligjore të adresimit të kontesteve të brendshme, të statusit të partive politike dhe shumë çështje të tjera nuk janë mirë të definuara duke theksuar nevojën për një ligj që avancon këto çështje.
Kurse Alexander Chavarria, Drejtor rezident i NDI-së, në cilësinë e panelistit në këtë debat foli rreth nevojës për të pasur Ligj për partitë politike.
Ai ka vlerësuar se Kosova e ka të nevojshme të ketë një Ligj për partitë politike. Sipas tij është e nevojshme për Kosovën që të filloj të diskutojë lidhur me këtë ligj pasi që është një instrument ligjor që rregullon se çfarë mund të bëjë një parti politike duke nisur nga rregulloret, statuti, përbërja, zgjidhja e kontesteve, financat si dhe aktivitetet e tjera politike.
Pjesë e këtij debati ishin përfaqësues të partive politike, organizatave të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare të cilët shprehën qëndrimet e tyre lidhur me nevojën për të pasur një ligj të tillë.






















