Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka gjobitur gjashtë klube nate në Tiranë. Klubet ndaj të cilëve u morën masa për ligjin antiduhan janë “Matrix”, “Mumja”, “Arena”, “Moscow”, “Taboo” dhe “Dream City”.
Bazuar në ligjin “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” gjatë fundjavës me praninë e Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë dhe në drejtimin e Eltar Deda, Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor u krye një inspektim nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, në pjesën më të madhe të klubeve të natës në Tiranë.
Gjatë inspektimit u konstatua se disa lokale nuk respektonin zbatimin e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” në ambientet e tyre. Për këtë arsye inspektorët e ISHSH morën masa administrative me vlerë 350 000 lekë të reja për klubet ku nuk zbatohej ligji në fjalë si dhe për pronarët dhe administratorët e tyre.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor shpreh vendosmërinë për zbatimin e ligjit në mënyrë konstante dhe me tolerancë zero për shkelësit e ligjit.
















