Udhëheqësit e vendeve të Europës Qendrore dhe të Ballkanit janë në panik për shkak të rënies demografike dhe po inkurajojnë familjet që të shtojnë lindjet në përpjekje për të frenuar rënien. Disa nga nxitjet për shtimin e lindjeve sjellin në kujtesë epokën fashiste dhe atë komuniste të thirrjeve në patriotizëm e vlera familjare si dhe lehtësime bujare nga taksat dhe shpërblime për çiftet që të sillnin në jetë fëmijë, thotë VOA.
Kritikët liberal akuzojnë qeveritë populiste se po shfrytëzojnë kërcënimin nga shpopullimi për të çuar përpara synimet nativiste dhe për ta kthyer orën prapa tek feminizmi. Por, zyrtarët qeveritarë kundërshtojnë pohimet e tilla duke theksuar që nëse nuk parandalojnë një krizë të popullsisë dhe të rrisin pjellorinë, qeveritë nuk do të jenë në gjendje të mbulojnë pensionet dhe kostot e kujdesit shëndetësor për brezat që po plaken.
Përpjekjet për të rritur popullsinë vendase dhe për të shtuar numrin punëtorëve të rinj për të financuar kostot e ardhshme të mirëqenies, po pengohen nga tendencat e migracionit. Të rinjtë po lënë Europën Qendrore në një numër gjithnjë e më të lartë për jetë më të begatë në shtetet e përparuara të Europës Perëndimore.
Në Hungari, ku shkalla e lindshmërisë ka rënë në 1.49 lindje për një grua (shkalla e nevojshme për të ruajtur nivelin e popullsisë është 2.1), kryeministri Viktor Orban njoftoi muajin e kaluar ngritjen e gjashtë klinikave që do të ofrojnë trajtim gratis dhe fekondim artificial (IVF). Qeveria e Polonisë ofron një ndihmë mujore prej 500 zlotësh (rreth 125 dollarë) për fëmijë për çdo familje pas fëmijës së parë.
Italia është po ashtu e alarmuar me rënien e shkallës së lindjeve. Gratë italiane kanë mesatarisht 1,29 fëmijë, shumë më pak se shkalla prej 2.1 që është e nevojshme për të ruajtur popullsinë. Nga ky vit qeveria do të financojë kopshtet e për të gjithë fëmijët dhe po rritë përfitimet për kujdesin e fëmijëve si dhe zgjatjen e lejes së baballarëve.
Greqia me ‘rripin e shtrënguar”, e cila ka një nga shkallët më të ulëta të lindjeve në Evropë, tani po u ofron nënave gati 2 mijë e 200 dollarë për çdo fëmijë të porsalindur, si dhe ulje taksash.



















