Daut Dauti
Xhon Turqit (Jön Türkler) e shkatërruan Perandorinë Otomane duke dashur ta shpëtojnë nga sundimi autokrat i sulltanit. Pra, qëllimi ishte i mirë, por masat e ndërmarra ishin joadekuate. Ideologët e kësaj lëvizjeje, shumica e tyre shqiptarë, e krijuan një ideologji mjaft përparimtare. Por, krijimi i idelogjisë dhe zbatimi i saj në parktikë, që bëhet me procese politike, janë dy gjëra të ndryshme. Xhon Turqit krijuan ideologji, por jo edhe udheheqës politik për implementimin e programit të arsyeshëm që kishin. Kjo ndikoi që lëvizja e tyre të kthehej kundër masave të geëra të popujve të perandorisë. Dhe, rezultati dihet: procesi i shkatërrimit të perandorisë u shpejtua.
E njëjta gjë është duke ndodhur me Lëvizjen VV. Qëllimi i saj është shpëtimi i Kosovës dhe kjo është një gjë fisnike. Por, masat për zbatimin e qëllimit të VV janë xhon turke. Ata, pra Xhon Turqit tanë, nuk kanë prodhuar udhëheqës politikë për zbatimin e programit. Albin Kurti, ish udhëheqësi dhe tani eminenca gri (éminence grise) i Lëvizjes VV, vazhdon të kominikojë me popullin në stilin ex katedra duke mos e patur parasysh se populli don udhëheqës e jo ligjërues akademik. ‘Udhëheqësit’ tjerë të VV vazhdojnë të paraqiten secili më megaloman se tjetri, duke harruar se kanë dalë para popullit për udhëheqje e jo për imponim të karakterit të tyre personal.
Xhon Turqit tanë apelojnë për pjesëmarrje në procese që në popull shihen si demonstrim i dhunës dhe shkatërrim i Kosovës. (Kjo mund të mos jetë e saktë, por në këtë moment kjo është pamja që sheh populli në Kosovë dhe kjo gjë mbjell frikë). Xhon Turqit tanë kërkojnë zhbërjen e proceseve për të cilat edhe vetë janë të bindur që nuk zhbëhen dhe propozojnë masa të cilat nuk arrihen dot në këtë moment.
Lëvizja VV, për fat të mirë tonin, ende vazhdon të jetë e vetmja parti politike jo oklokrale që kemi dhe, si e tillë, e interesuar për të ardhmen e vendit. Prandaj, meriton të kritikohet dhe të këshillohet për krijimin e një vije komunikuese të logjikshme me popullin. Duhet pasur parasysh se në poltikë më shumë bën punë elasticiteti se sa ngurtësia. Nëse VV vazhdon me trendin e saj, do ta sjellë veten dhe neve në një situatë më të vështirë se që jemi sot e që do të jetë e ngjashme me atë që u krijua në Ballkan në fillim të shekullit XX.
















