Praktikat e vjetra, të cilat më herët i kritikonin Ahmeti dhe Sejdiu, i përvetësuan shumë shpejt. Ato nuk e ka dekurajuar aspak kryetarin Ahmeti që ta përdor buxhetin publik për t’i futur në punë militantët e partisë së tij, kryesisht në formën e kontratave për shërbime të veçanta. Vetëm brenda tre muajve të vitit 2017, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar 445 000 euro për kontrata për shërbime të veçanta, ndërkohë që buxheti vjetor i ndarë ishte 333 000 euro.
Pra, në këta muaj parazgjedhorë janë shpenzuar pothuajse 150 për qind e buxhetit të parashikuar vetëm për të kontraktuar militantë partiakë për shërbime të veçanta. Kjo praktikë e dhënies së kontratave për shërbimeve të veçanta nga Komuna e Prishtinës është kritikuar edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prishtinës për vitin 2015, çështja e kontratave abuzive për shërbime të veçanta është paraqitur si një problem me prioritet të lartë. Auditimi ka treguar se gjatë atij viti ishin angazhuar 276 zyrtarë, të cilët janë paguar në vlerë prej 463,849€, me kontrata për shërbime të veçanta.
Në këtë raport thuhet shprehimisht se “Punësimi i tyre është bërë në kundërshtim me nenin 31 dhe 35 të Rregullores për shpenzimin e parasë publike 01/2013, pasi që nuk ka dëshmi se komuna ka plotësuar formularin, i cili specifikon se është zhvilluar testi i marrëdhënies së punës dhe dëshmi mbi përzgjedhjen e tyre sipas procedurave të zakonshme të prokurimit”.
Raporti i Auditimit për vitin 2016 ende nuk është publikuar. Ai pritet të publikohet pas këtyre zgjedhjeve, por shqetësimi për kontrata të shumta për shërbime të veçanta në Komunën e Prishtinës është paraqitur nga auditori edhe në vitin 2014.







































