Të ashtuquajturat “Letra të Panamasë”, të cilat zbuluan se dhjetëra figura globale kanë fshehur shuma të mëdha parash jashtë vendeve të tyre, mund të përfshijnë edhe njerëz nga Kosova, thonë analistët në Prishtinë,.
Organet e hetuesisë nuk kanë dhënë ende ndonjë përgjigje nëse ka indikacione për nisjen e ndonjë hetimi. Por, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se përfshirja e personave nga Kosova, qofshin ata zyrtarë të lartë apo biznesmenë, nuk do të iashte befasuese, duke pasur parasysh faktin se, siç thonë ata, “Kosova është e njohur për nivel të lartë të korrupsionit dhe të shpëlarjes së parave”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se përfshirja eventuale njerëzve nga Kosova në këtë skandal global financiar do të ishte një fatkeqësi e madhe për vendin.
Sipas tij, në këto raste kërkohen transaksione të mëdha buxhetore që, për fuqinë ekonomike të Kosovës, do ishte një barrë e madhe.
“Duke parë që edhe vende shumë më të varfëra se Kosova dhe politikanë që nuk janë menduar fare që kanë fshehur pasurinë e tyre, dolën se ata kanë bashkëpunuar me firmën në Panama dhe kanë pasur fonde të fshehura në këto banka, atëherë është e mundur që edhe individë nga Kosova të jenë përfshirë në këtë skandal”, ka thënë Demi.
Edhe Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që vështron dhe avokon kundër korrupsionit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të habitej aspak nëse në këtë skandal global janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës.
“Pritet që të dalin edhe letra të tjera dhe nuk e di nëse Kosova do të jetë e përfshirë, mirëpo dihet se pastrimi i parave bëhet në mënyra të ndryshme edhe në Kosovë. Nëse do të dalin individë nga Kosova në këtë skandal, do të tregonte një trend që jemi në harmoni me vendet e korruptuara”, ka thënë Canhasi.
“Por, nuk e di se si do të reagojnë zyrtarët e Kosovës, nëse do të jenë të përfshirë në këtë skandal, a do të veprojNë si pjesë e vendeve me demokraci të zhvilluar, sikur Islanda, ku kryeministri dha dorëheqje, apo do të jemi shtet sikurse Rusia, ku presidenti Vladimir Putin e quan këtë problem të brendshëm familjar dhe spekulim”, ka shtuar ai.
Canhasi vlerëson e zyrtarët e lartë të Kosovës shumë lehtë mund ta bëjnë edhe në Kosovë fshehjen e të ardhurave të tyre apo shpëlarje të parave, përmes patundshmërive të ndryshme.
“Sistemi financiar në Kosovë nuk është edhe i pafuqishëm, megjithatë nuk ka personel të mjaftueshëm që të bëjë këso kontrollesh dhe kjo duhet të fuqizohet më tutje. Njësia e Inteligjencës Financiare në Kosovë duhet të shtojë kapacitetet e saj që të bëjë këto kontrolle”, ka thënë Canhasi.
Projekti për Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) pritet të nxjerrë brenda dy javësh informacionet për Ballkanin që përfshihen tek “Dokumentet e Panamasë”.
Redaktorja e këtij projekti, Miranda Patruçiq, ka thënë për Zërin e Amerikës, se mund të priten informacione konkrete për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Nisur nga kjo, Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, ka thënë se që për përveç politikanëve në këtë skandal, mund të jenë përfshirë edhe njerëz nga biznesi në Kosovë.
“Por, edhe nëse nuk ka ndonjë politikan, do të duhej të shikohej nëse ndonjëri nga bizneset e mëdha ka pasur një llogari të tillë, pasi që edhe në rastet e vendeve të tjera shumica e njerëzve ishin biznesmenë, por të ndërlidhur me politikën”, ka thënë ai.
“Duke marrë parasysh si funksionon politika dhe ekonomia tek ne, çdo biznes i madh që është krijuar pas luftës është krijuar përmes lidhjeve politike, sidomos duke marrë kontrata publike”, ka shtuar Demi.
Ekspertët e konomisë në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen se Kosova është shndërruar në një terren të përshtatshëm për shpëlarjen e parave.















