Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama kanë shkëmbyer edhe sot letra në përpjekje për të gjetur konsesusin për Reformën në Drejtësi. Por nga përmbajtja e tyre dhe gjuha e përdorur i pozicionon palët shumë larg kompromisit.
Rama e sfidoi Bashën duke i thënë se s’mund të pranonte një propozim që është i papranueshëm edhe për SHBA e BE. Por Basha i përgjigjet duke i thënë se ai nuk ka mandat pë të folur në emër të SHBA.
Rama: Si mund ta pranojë qeveria e këtij vendi një “zgjidhje” të papranueshme për SHBA/BE, e cila hedh në erë themelet e Reformës në Drejtësi dhe hap një hendek të pakapërcyeshëm në rrugën e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian?!
Basha: Une nuk besoj se ju keni ndonje mandat per te folur ne emer te SHBA e BE, keto pune nuk zgjidhen me Bilalin. Por ti ke mandatin e pergjegjesine per tu bere pjese e zgjidhjes.
Rama e sfidoi Bashën në takim dhe debat televiziv dhe kryetari i PD i përgjigjet pozitivisht, duke i thënë se mund të diskutojnë që nga kriza e deri te reforma.
Rama: Unë jam gati të takohem me Ju që nesër për të diskutuar ballë për ballë në kërkim të zgjidhjes së këtij ngërçi absurd. Madje jam gati, që nesër, të debatojmë edhe përpara shqiptarëve, në çdo format televiziv të pranueshëm për Ju, mbi pikën që ndan jo thjesht qëndrimet tona, po qëndrimet Tuaja, të Partisë Demokratike, me qëndrimin e unifikuar të shumicës sonë qeverisëse, të Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Europian. Koha vrapon sfida është historike!
Basha: Debat? Ne cdo ore, ne cdo dite qe te deshirosh! Per taksat e larta, per arsimin dhe shendetesine ne dite te zeza, per ekonomine ne agoni, per varferimin dhe shpunesimin e shqiptareve, per pasigurine dhe pushtetin e bandave, per korrupsionin dhe inkriminimin e qeverisjes, e natyrisht edhe per drejtesine, por sidomos per rruget e daljes nga kriza, qe PD i ka te hedhura ne alternativen e saj per cdo fushe.
Por Drejtesia, reforma kushtetuese nuk zgjidhet me akrobacira politike e as me shfaqje televizive. Kjo ceshtje kerkon konsensus e vullnet. Une dhe Partia Demokratike i kemi deshmuar te dyja keto cilesi e virtyte qe diten e pare, cilesi e virtyte qe kane munguar rendshem ne anen tuaj.
Edhe në këto letra të fundit kur 21 korriku po afron Rama e Basha tregojnë se po qëndrojnë në llogore e nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe.
Rama: Zoti kryetar i PD,e lexova me keqardhje dje këtë reagim destruktiv Tuajin ndaj letrës sime publike dhe lejomëni t’Ju rikujtoj publikisht, që propozimi Juaj “i bazuar 100% tek rekomandimet e Venecias” jo vetëm nuk njihet si i tillë nga SHBA/BE, po është refuzuar kategorikisht dhe publikisht prej tyre.
Si dhe çfarë mund të negociojnë negociatorët sipas Jush, për sa kohë PD nuk lëviz nga ky propozim, që ka si kusht përjashtimin de facto të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në procesin e pastrimit të sistemit nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar?!
Si ka mundësi që pasi ka shterruar gjithë uji i Venecias, Ju të bëni shurdhin kryeneç ndërkohë që kambanat e alarmit për Shqipërinë bien nga të katër anët, e të përsërisni nga bunkeri ku jeni kyçur bashkë me Partinë Demokratike, të njëjtën kërkesë të papranueshme për të gjithë?!
I dashur Lulëzim, thirrini mendjes, çlirohuni nga frika prej Reformës në Drejtësi dhe mos viktimizoni, për llogari të një grushti të korruptuarish, një popull të tërë që ka sot të drejtën e tij sovrane për të marrë mbrapsht, hakun e ngrënë 25 vjet me radhë nga të inkriminuarit që mbajnë peng drejtësinë në Shqipëri!
Basha: Edhe nje here, cakto negociatoret, jepu plotfuqine te negociojne zgjidhjen.
Mos u kap pas preteksteve e alibive. Ne kemi ofruar rolin me te gjere e me te fuqishem te nderkombetareve ne procesin e vettingut, duke ju permbajtur Venecias.
Pergjegjesite e tjera ju takojne shqiptareve dhe perfaqesusit e tyre legjitime duhet ta cojne ne fund e ta realizojne reformen ne drejtesi.
Këto duket se janë letra e fundit të kreut të PS e PD për reformën pas deklaratës bombë të Ilir Metës se atij i është sosur durimi me të dy dhe pas paralajmërimit të tij për rënien e qeverisë dhe ngritjes së një qeverie teknike për të organizuar zgjedhjet e parakohshme.























