E pikërisht iniciuesi i kësaj rezolute Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për Gazetën Monitor ka thënë, se një situatë e tillë e vë në pikëpyetje rolin e ekzistencën e parlamentit e qeverisë, e këtë të fundit e ka quajtur edhe kukull e cila më shumë punon për realizimin e synimeve të serbeve, se sa të punoj për të mbrojtur territorin e vendit.
“Rezoluta është miratuar unanimisht nga të gjitha grupet parlamentare dhe nuk e di pse negociohet rrënimi i murit, kur krejt krerët e shtetit e kanë thënë që muri është ndërtuar ilegalisht, prandaj rezoluta duhet të miratohet në përpikëri, dhe muri duhet të rrënohet pa negociuar me askënd”, ka thënë Lekaj. Në një situatë tjerë nga kjo, Lekaj thotë se ky mund të jetë një tjetër mashtrim i Qeverisë së Kosovës për opinionin e sidomos për Parlamentin.
Mirëpo Lekaj nuk planifikon të qëndroj duarkryq, meqë gjatë ditës së nesërme ai ka ftuar në një takim për në ora një shefat e grupeve parlamentare, për të diskutuar lidhur me këtë situatë dhe se çfarë të veprohet tutje. “Unë kam marrë iniciativë për nesër në ora 1 shefat e grupeve parlamentare, që të bisedojmë dhe të shohim më tutje çka do të ndodh, mirëpo nëse kjo nuk rrënohet, unë mendoj se nuk di pse ekziston qeveria e Kosovës, të cilën mund ta quajmë si kukull dhe më tepër është për të realizuar synimet e serbeve, në vend që të mbroj territorin e të mos ndodh ndarja e Kosovës”, ka theksuar Lekaj.
Ndryshe Presidenti i vendit Hashim Thaçi derisa po bënte homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti ka deklaruar se është i vetëdijshëm që sot është afati i fundit për rrënimin murit, dhe ka siguruar se Rezoluta e Kuvendit do të realizohet me përpikëri, dhe se e njëjta çështje nuk do të diskutohet me autoritetet e Beogradit në Bruksel.
Mirëpo para Thaçit një deklaratë krejt tjetër e ka dhënë shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, e cila ka thënë se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje rreth çështjes së murit në Veri të Mitrovicës, dhe se diskutimet ende vazhdojnë.






















