Cila është përfshirja në rrjet e bandave të ndryshme shqiptare, që dyshohet se janë ndër kryesoret në trafikun e emigrantëve në Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe Francë. Fitimet e shumta dhe organizimi i grupeve në kalimin e klandestinëve kryesisht drejt Anglisë.
Bandat kriminale shqiptare po drejtojnë trafikun e emigrantëve në qendër të Bashkimit Europian. Me këtë konkluzion kanë arritur disa vende anëtare të BE-së, pas grumbullimit të të dhënave në lidhje me tranzitin e emigrantëve.
Konstatimi shqetësues vjen nga burime të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, i bazuar në të dhënat e servirura nga disa shtete anëtare të BE-së. Sipas këtyre të dhënave, në pak muaj bandat shqiptare kanë arritur të kryesojnë trafikun e emigrantëve në Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe Francë. Specialiteti i bandave shqiptare rezulton të jetë kalimi i mijëra refugjatëve së shumti përmes furgonëve, kamionëve dhe mjeteve të tjera të transportit nga pjesa kontinentale e Europës në Mbretërinë e Bashkuar.
Rezulton se bandat shqiptare kanë arritur të krijojnë struktura që janë vazhdimisht në ndryshim e sipër dhe të fitojnë të ardhura të majme, që kapin nivelin e qindra mijëra eurove në muaj për person.
Ky fenomen ka nxitur edhe gazetarët e së përditshmes franceze “Le Figaro”, që i ka kushtuar një nga kopertinat e saj aksionit të bandave kriminale në kampet e refugjatëve, ku trafiku i emigrantëve nga bandat shqiptare dhe irako-kurde në Francë ka arritur vetëm në disa javë të kapë një përfitim në nivelin e 350 000 eurove. Vetëm pak muaj më parë u shkatërrua një grup, i cili merrej me trafikun e qenieve njerëzore nga Spanja në Britani.
Ndërkohë, artikulli i “Le Figaro” i referohet ndër të tjerash burimeve të policisë franceze gjatë shkatërrimit të një bande shqiptare, të përbërë prej një organizatori dhe 4 trafikantësh, e cila po bënte trafik të madh me emigrantët.
“Zbuluam, se çdo emigrant duhej të paguante 6 deri në 7 mijë euro për të kaluar në Mbretërinë e Bashkuar. Në tërësi, janë 300 persona që kanë përfituar nga kjo strukturë ,që ka sjellë një përfitim prej 2 milion eurosh. Pra, secili prej shfrytëzuesve ka futur në xhepa 400 000 euro”, – citohen të jenë shprehur burimet policore franceze për “Le Figaro”.
Bandat kriminale shqiptare përfliten gjithashtu të jenë më të egrat gjatë larjeve të hesapeve për të kontrolluar parkingjet apo autostradat, nga ku ngarkohen edhe emigrantët. Ndërsa nuk kanë munguar edhe ngjarjet tragjike, disa të rinj shqiptarë kanë humbur jetën duke kaluar ilegalisht kufirin për në Angli.
Zakonisht përdoren kamionë mallrash për të kaluar ilegalisht nga Franca drejt Anglisë, ku më pas emigrantët priten nga të afërm të tyre dhe punojnë në ilegalitet të plotë.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Brukselit ka dënuar një bandë shqiptare prej 11 personash të specializuar në kalimin e emigrantëve nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar, nga dy deri në gjashtë vjet burgim dhe me gjobat në nivelin 6 mijë euro për çdo të akuzuar.
Gjithsesi mësohet se gjykata ka dashur të japë një mësim të fortë për trafikantët, duke dënuar njërin prej trafikantëve shqiptarë me një gjobë prej 324 mijë eurosh. Duke qenë se qarkullojnë shuma të mëdha parash, trafiku kryhet në organizim mjaft të mirë dhe bandat janë të organizuara, pasi përfshihen edhe shtetas të huaj, kryesisht shoferë kamionësh nga Franca dhe Belgjika.
Emigrantët nga Siria, Eritrea dhe Kongo “mësynë” Gjirokastrën
Numri i madh i refugjatëve që vinin nga vendet në konflikt si Siria, Eritrea apo Kongo, bënë që edhe në vendin tonë të lulëzonte trafiku i qenieve njerëzore.
Vetëm për vitin 2014, sipas të dhënave të dala nga Ministria e Brendshme, janë kapur në Gjirokastër rreth 1900 emigrantë të huaj. Pjesa më e madhe e tyre kishin paguar persona të ndryshëm deri në 500 euro për person që t’i dërgonin drejt Malit të Zi. Më pas, rrugëtimi i emigrantëve do të zgjaste edhe më shumë, ku synohej që të shkonin në shtete si Austria apo Gjermania.
Duke marrë shkas nga fluksi i madh, trafikantë të ndryshëm përfitonin nga rasti për të marrë shuma të majme vetëm për transportin deri në Mal të Zi. Gjithsesi, rrjeti i trafikut vijonte edhe në vendet e tjera. Në rastet kur klandestinët kapeshin nga policia jonë, ata ktheheshin në Greqi, pikërisht në vendin nga kishin hyrë. Por ende nuk ka një shifër të përafërt se sa klandestinë kanë mundur të kalojnë në shtetet perëndimore, pikërisht duke përdorur Shqipërinë si tranzit.















