Moskë, 26 shkurt 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në konferencën e përbashkët për gazetarë, në Moskë, treguan se gjatë takimit kanë folur edhe për dialogun midis Kosovës e Serbisë.
Shefi i diplomacise ruse ka thënë se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës është faktor kyç për procesin e negociatave midis Kosovës e Serbisë.
”Folëm edhe për Kosovën. Kemi për qëllim të nxisim dialogun që të arrijnë një marrëveshje me Serbinë. Ne do të donim që çështja e Kosovës të zgjidhjet. Palët e interesuara duhet të gjejnë një marrëveshje dhe ne besojmë se një faktor kyç për të ecur përpara është zbatimi i vendimit të krijimit të asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Lavrov.
Ndërkaq, kryeministri Rama thënë se njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia është në të mirë të mbarë rajonit, përfshirë edhe vetë Serbinë. Ai ka qartësuar se ky qëndrim nuk është i OSBE-së, kryesues i së cilës është, por qëndrim i Qeverisë së Shqipërisë.
“Dua të them se është shumë e qartë për ne, si kryesi, jemi përpjekur e do perpiqemi që të mos jemi të përfshirë në menyre te drejtperdrejte në çështjen e Kosovës, sepse në këtë pikë s’do të kemi asnjë ndikim. Por, pozita e qeverisë shqiptare është që sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën aq më mirë do jetë për të gjithë, sigurisht edhe për vetë Serbinë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjendet në vizitë zyrtare në Moskë, në cilësinë e kryesuesit të radhës të OSBE-së.
Temë kryesore e bisedës së tij me shefin e diplomacisë ruse ka qenë konflikti mes Rurisë dhe Ukrainës.