Kuvendi fillon nga puna. Këtë të hënë u zhvillua seanca e parë e sesionit të ri parlamentar e cila zgjati vetëm pak minuta. Në çelje të seancës, kryetari Ilir Meta u shpreh se duhet punuar më shumë për përsosjen e dialogut mazhorancë-opozitë. “Do të synojmë të përsosim funksionimin e Parlamentit. Do të synojmë për të përsosur më tej dialogun konstruktiv, mes mazhorancës dhe opozitës. Do të synojmë rolin mbikëqyrës të Kuvendit, të risim rolin e Kuvendit për përmbushjen e 5 prioriteteve të BE kur me e rëndësishmja është Reforma në BE”- u shpreh Meta. Në këtë seancë u plotësuan me anëtarë edhe dy komisionet hetimore të kërkuara nga opozita por të cilët ishin të bllokuar për shkak të mungesës së saj në parlament. Komisioni Hetimor për serverin e tatimeve u miratua me 121 vota dhe do të ketë kryetar Arben Ristanin ndërkohë që Komision Hetimor për largimet dhe shkarkimet në administratë që u miratua me 120 vota do të ketë kryetar Genc Pollon. Programi tre javor i punës së Kuvendit ka në përbërje edhe diskutimin dhe votimin e akt-normativ për buxhetin e vitit 2014 , dekretin e Presidentit Bujar Nishani për anëtarët e Gjykatës së Lartë por edhe dekretin për Guvernatorin e bankës së Shqipërisë.















