Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sot për qeverinë e re të kryesuar nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Seanca e djeshme u ndërpre me kërkesën e partive të koalicionit dhe me arsyetimin se deputetët ishin të lodhur. Ndërkohë opozita tha se “partitë e koalicionit kanë probleme me Listën Srpska, e cila nuk ka qenë në këtë seancë”.
Në seancën e djeshme, e cila zgjati rreth nëntë orë është zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, por jo kryeministri dhe kabineti qeveritar. Seanca u shty me kërkesë të PDK-së dhe LDK-së, të cilët kërkuan që ajo të mbahej sot në orën 12:00. Edhe pse me një shtyrje të tillë nuk u pajtuan partitë opozitare, votat e koalicionit PDK-LDK, e mundësuan një gjë të tillë.
Mësohet se seanca u shty vetëm për shkak të Listës Srpska, e cila thuhet se nuk është e kënaqur me postet ministrore, që i janë dhënë për qeverinë e re.