Nuk e dimë ende se cili do të jetë portreti i Këshillit të ri Kombëtar të Partisë Demokratike për të cilin u votua gjatë dy ditëve të Kuvendit Kombëtar të kësaj force, por pritshmëritë kanë brenda rini dhe shpresë. Të pakënaqur do të ketë siç edhe ka pasur, por nganjëherë edhe lloji i pakënaqësisë është tregues se diçka ka ndryshuar. Ndryshimi është imperativ i më të mirës.
Gjasat janë gjithsesi që Këshilli Kombëtar të jetë njëfarë Janusi; në fytyrën e tij të pasqyrohetberishizmi si gjakim për një konservatorizëm të vijës së ashpër që në PD është ngujuar te termiqëndrestar dhe bashizmi si konservatorizëm liberal i hapur si një fushë lufte, por edhe me shami të bardha paqeje në duar.
Mund ta dalloje këtë stil, këtë dikotomi, këtë përballje e ngërç bashkë, edhe te patosi i fjalimeve të mbajtura në Kuvend nga kryetari dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike. Nëse nëpër tingujt e këmbanave të z. Basha dëgjoje alarmin por edhe shpresën e optimizmin, në marshin e luftës së z. Berisha ndihej përgjakja, humbjet, fitoret dhe kulmet e 23 viteve jetë të asaj partie.
Duhen lexuar megjithatë disa shenja të cilat paraqesin kumtin e mbërritjes së konservatorizmit liberal në Partinë Demokratike. Pra, fizionominë elastike të bashizmit. Logjika e shëndoshë e ka, se te dy bukuroshe që këmbehen nuk duhet lexuar asgjë më shumë se aq…dy bukuroshe që këmbehen. Por te Laura Vorpsi si exit dhe Oriola Nebiaj si new entry duhet parë spikama e lidershipit të ri. Shenja e parë estetike e bashizmit. Jo për të thënë se njëra është më e bukur se tjetra, Vorpsi se Nebiaj apo berishizmi se bashizmi, por se gjithsesi edhe ndërrimi i portreteve në murin e shtëpisë së lirisë ka shijen, nevojën dhe kohën e vet.
Njërës që ikën e tjetrës që vjen, i shtohet edhe një grua tjetër, e cila herë ikën e herë vjen: Jozefina Topalli. Mungesa, e më vonë prania e saj, si për të shpallur parapëlqimet apo mospëlqimet për Bashën e Berishën, është një diversion i pavend. Me vend do të qe që znj. Topalli, të paktën me veshë t’i ishte bashkuar mea culpa-s që shefi i opozitës shqiptoi të shtunën para demokratëve shqiptarë. Ndjesën për të gjithë ata, ndoshta duke futur këtu edhe veten e Topallin, që u fshehën pas xhamave të makinave e zyrave të tyre.
Këto megjithatë janë zhurma të ambientit që mund të neutralizohen vetëm me kufje Bose. Meqë ato kushtojnë duhet t’u vëmë veshin shenjave të tjera, të cilat u shfaqën jo jashtë po brenda fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike. Nëse mea culpa për arrogancën dhe mosndjeshmërinë e qeveritarëve të djeshëm demokratë qe maja e fjalimit ‘përbetimi’ se në radhët e demokratëve, në opozitë apo në pushtet, nuk do ketë vend për të inkriminuarit, qe një kulm më vete. Nëpër fjalën e vet gjithashtu lideri demokrat shfaqte kujdes për t’iu kundërvënë asaj që mund të konsiderohet si relativizimi i së keqes. Mund të thuhet madje se antiteza e së keqes ishte brerja kryesore e një fjale maratonomike të Bashës. Fjala e shefit të opozitës në spektrin e vet trajtonte gjithë ç’e shqetëson, jo vetëm anëtarësinë e Partisë Demokratike por edhe shoqërinë shqiptare. Në këtë rrafsh ajo e poziciononte PD-në, edhe pse vetëm një vit në opozitë, si alternativë të hershme pushteti. Receta e re e aksionit të demokratëve, po të gjykosh nga fjalët e Bashës duket se është grupi dhe jo individi.
Sepse, as Kuvendi i fundjavës së shkuar, (shtator 2014!!!) i Partisë Demokratike, nuk iu shmang dot kultit të individit. Folësit, të rinj e të vjetër, gra e burra, nuk ia ndanin refrenit komunist me urra për udhëheqësit e partisë.
















