Ligji i vetting-ut është një nga ligjet themelore të reformës, pa të cilin nuk mund të ngrihen organet që bëjnë rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Me këtë ligj është i lidhur edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatave speciale, i quajtur ndryshe Struktura Antikorrupsion.
Përveç pezullimit të zbatimit të ligjit të vetting-ut, Gjykata Kushtetuese ka vendosur gjithashtu t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion, nëse ligji është në përputhje me Konventën evropiane për të drejtat e njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë.
Sipas Partisë Demokratike, që ankimoi ligjin në Kushtetuese dhe kërkoi pezullimin e tij, vetting-u ka shkelje flagrante të Kushtetutës sepse vendos nën kontrollin e qeverisë institucionet e reja të drejtësisë.
Gjykata Kushtetuese ka njohur si palë e interesuar në proces edhe Unionin e Gjyqtarëve, të cilët ende nuk kanë marrë një vendim, nëse do ta cilësojnë apo jo antikushtetues ligjin e vetting-ut.
Është ende e paqartë nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vetting-ut ka qenë unanim, por Top Channel mësoi se nga 9 anëtarë, në mbledhje kanë marrë pjesë vetëm 8 prej tyre. Gjykatësi Sokol Berberi ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij, pas mbarimit të mandatit pak kohë më parë.
.






















