Amber Kotrri është pronare e një butiku të vogël me vendndodhje në Darlington të Anglisë, i cili mban emrin “House of Zana”, çdo ngjashmëri me fjalën shqipe për “Zana” është e vërtetë pasi emri në fakt është përdorur qëllimisht nga fjala shqipe. Bashkëshorti i Amberit është shqiptar dhe emrin ajo e zgjodhi veçanërisht nga gjuha e bashkëshortit të saj. Por, ky emër u bë edhe shkak për një gjyq të gjatë me markën gjigante veshjesh, Zara.
Në një intervistë ekskluzive për Business Magazine, ajo na rrëfen momentin kur mësoi se Zara kishte kundërshtuar regjistrimin e saj të markës tregtare duke pretenduar se “House of Zana” ka mjaft ngjashmëri me markën e tyre për të krijuar konfuzion te klientët.
Kur mori letrën me vendimin, ajo kishte frikë ta hapte, druhej se mund t’i duhej të mbyllte markën e saj, por ajo thotë se u ndje shumë e lehtësuar kur zbuloi se kishte fituar gjyqin, pavarsisht se e gjithë ngjarja u zhvillua në një periudhë të vështirë për të. Amber është nënë e tre fëmijëve tashmë dhe në periudhën e seancës gjyqësore ajo ishte duke sjellë në jetë fëmijën e tretë.
“Unë jam shumë mirënjohës për të gjitha bizneset e vogla që më kanë qëndruar pranë, të gjithë klientët dhe është kaq fantastike të dish se kemi mundur një markë kaq gjigante të modës.”
“House of Zana” filloi rrugëtimin e saj online në vitin 2018 dhe në nëntor 2019 hapën dyqanin e tyre të parë në Darlington. Një vit më pasi hapën edhe një butik në Aeroportin Ndërkombëtar Teesside. Por, vetëm një vit më parë Amber vendosi të regjitrojë markën e saj, por ajo këshillon të gjithë ta bëjnë këtë përpara se të regjistrojnë biznesin e tyre.
E pyetur për arsyet e Zarës për të kundërshtuar regjistrimin e saj të markës tregtare, ajo thotë:
“Sinqerisht nuk i kuptoj shumë arsyet e Zara-s. Kam dëgjuar se ka ekipe të Zara-s që po kërkojnë nëpër marka tregtare për të gjetur kompani si të miat dhe i dërgojnë këto letra për të “mbajtur veten në një punë””.
Amber shprehet se nuk e kishte parë kurrë Zarën si konkurrencën e saj, pasi nuk është në tregun e modës së shpejtë. Biznesi i saj përfaqëson një markë veshjesh të qëndrueshme dhe luksoze. “Ndjej se Zara nuk do të ishte kurrë konkurrenca ime, siç nuk do të isha kurrë e tyre.” përfundon ajo.
E motivuar nga fitorja Amber na tregon për planet e saj për të ardhmen: “Së pari do të bëjmë një festë të madhe për regjistrimin e markës dhe jam e gatshme të ndihmoj këdo që po kalon të njëjtën situatë si unë. Përsa i përket biznesit jemi shumë të motivuar për të vazhduar të rritemi dhe të zgjerohemi.” Business Magazine





















