Petrit Kuçana
Pas 21 Marsit asnjë makinë angleze nuk mund të regjistrohet në Shqipëri
Do të INUK-zohen të gjitha makinat me krah anglez nga shteti shqiptar. Ky ishte lajmi I paprecedentë që “tingëlloi” veshët e shqiptarëve të këtushëm, që krejtësisht të hutuar presin se mos po lëviz ndokush dhe pushtetarët” tërhiqen nga ky vendim.
Pra pas 21 Marsit asnjë makinë angleze nuk mund të bëhet pronë e një shtetasi të Shqipërisë thuhet në njoftimin e bërë nëpër media.
Kjo “dhuratë” shtron një pyetje shumë të rëndësishme; kush do të mbrojë interesat e shqiptarëve të Britanisë?
Duhet theksuar se dy partitë në pushtet kanë përfaqësitë ose më saktë përfaqësuesit e tyre në Britani, por duket se përfaqësuesit e partive në pushtet nuk kanë mundur që në fund të fundit të mbrojnë interesat qoftë dhe të atyre militantëve që përfaqësojnë, pasi preken drejtpërdrejt interesat e tyre, pra edhe socialisti më i thekur nuk mund të dërgojë të afërmve të tij një makinë me krah anglez.
Për rrjedhojë duket se nuk mund të ketë asnjë dritë në shprese për këtë çështje. Duhet theksuar se shqiptarët e Britanisë zyrtarisht renditen sit ë tretët, (pas Greqisë dhe Italisë) por mbase të parët përsa i përket të ardhurave të tyre (fuqisë blerëse), dhe deri më sot nuk kemi parë as angazhimin më të vogël të pushtetarëve, ndonëse rastis që për një javë të vijnë tre ministra dhe kryeministri në Londër dhe jo vetëm që nuk denjojnë të organizojnë ndonjë takim me shqiptarët e këtushëm, por kryejnë edhe akte më të paprecedenta.
Për shqiptarët e këtushëm është i paharrueshëm prononcimi i Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri që nënshkroi marrëveshjen me shtetin Britanik për kthimin e emigrantëve shqiptarë, madje (ajo që nuk është dëgjuar kurrë më parë as nga përfaqësuesit e partive ekstreme anti-emigracion në Britani, përshpejtimin e procedurave…
Sipas disa informacioneve që ne po i verifikojmë ka filluar edhe kthimi i atyre që janë minorenë, pra nën 18-vjeç, në bazë të marrëveshjes së Ministrit të Brendshëm.
Çfarë i kërkoi përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar homologes britanike?
A i mbrojti sadopak interesat e shqiptarëve të këtushëm, aq më tepërt se sipas statistikave të INSTAT-it mbi 4000 qytetarë të Shqipërisë braktisin atdheun çdo muaj dhe besohet se pjesa dërrmuese vijnë drejt Britanisë?
Ka ku të shkojë më keq?
Nga ana tjetër asnjë klithmë nuk u dëgjua dhe nuk po dëgjohet as nga ata që trumbetojnë veten si përfaqësues të shqiptarëve të këtushëm.
Gati krejt i papërfillshëm mbetet edhe ndonjë iniciativë e ndonjë aktivisti që kërkon të ngrejë ndonjë çështje në mbrojtje të shqiptarëve të këtushëm.
Shtjellimi i këtyre problemeve ka një zanafillë; mospasjen e të drejtës së votës për emigrantët në vendet që ata jetojnë. Për rrjedhojë askush nuk “kujdeset” për ta madje, as që pyetin më si në rastin konkret, si grup interesi, pasi dëmtohen drejtpërdrejt interesat e tyre. Për t’iu rikthyer çështjes së fundit. Makinat me krah anglez kanë mbushur Shqipërinë dhe është lehtësisht e kuptueshme se emigrantët e këtushëm kanë fuqinë financiare për t’ua dhuruar të afërmve të tyre këto lloj makinash ashtu si për shumë qytetarë të tjerë është konsideruar me leverdi blerja e këtyre makinave dhe nuk është rastësi që zona të caktuara të Shqipërisë thuhet se duhet të futet sistemi anglez i rrugëve, për shkak të numri tepër të madh të makinave me krah anglez që përdorin.
Mirëpo ky humor nuk i ka penguar disa ligjvënës që të marrin vendimin për penalizimin e këtyre mjeteve që duket sipas raportimeve në media qenkan shkaktare të aksidenteve që po ndodhkan në Shqipëri.
Sikur kjo do të ishte e vërtete imagjino çdo të bëhej bie fjala në Francë, në Belgjike aq më tepër në Spanjë… ku ka qindra mijëra makina angleze…
Por duket se ata ligjvënës e nxjerrin gomarin nga balta me një të rënë të lapsit.
21 Marsi po afron…Mbase është koha që shqiptarët e Britanisë të zgjohen…