ARBEN MANAJ
Ky dëshpërim i shprehur në titull, ka qenë gjëja më mbizotëruese në shumë reagime dhe komente, sidomos online të shqiptarëve që përgjithësisht mund të jenë nga ata që jetojnë jashtë e paksa më pak të atyre që jetojnë brenda Shqipërisë, pas vendimeve të fundit të gjyqësorit shqiptar dhe gjithë sagës “Frrokiane”.
“Ai vend nuk bëhet më”… etj., etj. shpërthime, do të duhet të jenë kambanë për elitën sunduese politiko-financiare të vendit.
Dhe kanë absolutisht të drejtë, kur një nga shtyllat e shtetit, dhe ndoshta ajo me sensitivja që të bën të ndihesh ose jo i barabartë apo i mbrojtur, siç është dhënia e drejtësisë, funksionon keq në rastin më të pafajshëm, apo është e korruptuar terminalisht në rastin më të trishtë.
Pas vendimit të gjykatës, edhe pse i revoltuar, pas pafajësisë jofundore të Arben Frrokut, ish-“delikuentit” të shndërruar në mënyrën më bizare në aspirant për deputet, duke lënë praktikisht pa autor vrasjen e komisarit të ndjerë, me pak sarkazëm mbetet veçse të thuash se në mungesë alternative, Komisari i ndjerë edhe mund të ketë kryer vetëvrasje!
Pas kësaj që ndodhi, duket se sistemi i drejtësisë apo gjykatat ose prokuroria kanë dështuar në mënyrë spektakolare, nëse nuk shihet ndonjë ndikim malinj në këto vendimmarrje që do na fuste në një pistë dhe dimension tjetër të frikshëm arsyetimi.
Edhe rasti i dënimit ose uljes së dënimit të kërkuar, më saktë, për vrasësin e konfirmuar Xhuvani, ku reduktojnë në vite sa gishtat e një dore, vlerën e marrjes se jetës së një njeriu, duke i hapur rrugë vetëgjyqësisë, janë mjaftueshëm ndër rastet e fundit që irritojnë shqiptarët e ndershëm dhe të frikësuar se tashmë jeta e tyre është në dorën e të pamëshirshmëve mëshirëplotë nga togat e sterruara të drejtësisë shqiptare.
Për shkak të profesionit më duhet të bëjë kërkim të përditshëm dhe të çdo-orshëm të lajmeve që përmbajnë fjalën Shqipëri apo shqiptarë në Google.
Dhe është mjaft e sikletshme kur më duhet të përballoj email-e me lajme nga tërë agjencitë e mundshme të lajmeve nëpër botë apo blogjeve, ku së fundmi fjala deputet i Shqipërisë, vrasës, etj., të përplasen syve sa herë shkon tek email-et.
Imagjinoni për një moment se çfarë dëmi të jashtëzakonshëm shkaktojnë këto raportime për imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, e lënien pa mend të atyre që formojnë opinione kur një deputet ikën se akuzohet për vrasje dhe një tjetër, pakuptueshëm për ta si të huaj, por jo për ne si shqiptarë, mendohet t’i zërë vendin vëllait të akuzuar për vrasës, në foltoren e parlamentit, pasi vetë ka bërë rokadë burgu.
Nuk e di se si ndodhet e ndihet një kryeministër, një opozitar apo çdo ofiqar shqiptar i ndershëm që i dhimbset sado pak emri dhe etnia e tij.
Por përgjegjësia është e jashtëzakonshme dhe bën të pavlefshme tërë ato mijëra, deri miliona euro apo dollarë, që harxhohen lart e poshtë për kompani me emra luleshtrydhesh për të bërë lobimin apo branding të Shqipërisë, kur këto përpjekje, tejkalohen keqas nga lajme të tilla jashtë kontrolleve të tyre editoriale dhe brenda kontrolleve të tyre politiko-administrative.
Kjo mazhorancë ka numrat më të mëdhenj të mundshëm dhe të lakmueshëm parlamentarë në historinë politike shqiptare të këtij shekulli për të bërë reforma; një luks që nuk ka për ta pasur edhe për shumë kohë.
Ndërkohë që ka urgjencën më të madhe të mundshme për të bërë reformë në drejtësi dhe në prerjen e lidhjeve okulte të politikës me bizneset e përfolura kriminale dhe sfond kriminal, që vetë politika shqiptare e të dyja krahëve në postkomunizëm i ka inkurajuar e toleruar në dhe drejt shtratit të vetë.
Nëse kjo mazhorancë, e cila nuk mund të fshihet më pas këtyre thagmave që po dëgjojnë shqiptarët, pas pseudo-pavarësisë së deklamuar të pushteteve, duke toleruar drejtësinë të tallet me shqiptarët dhe imazhin e vendit, është mirë të mendohet mirë elektoralisht, përpara se shqiptarët e duruar t’i flakin si kalbësirat dhe qelbësirat e radhës, siç bën me pushtetin e degjeneruar të Berishës, i cili ende në konspiracion me hallkat e drejtësisë së sotme shqiptare, minon pushtetin aktual politik, por dhe demoralizon mosndëshkimin e zullumeve të veta që ua la në prehër drejtuesve të sotëm si gur prove.
Kryeministri, mbi të cilin bie përgjegjësia më e madhe për drejtimin e vendit dhe jo te një president që ka kohë të merret me rrojtjen e mustaqeve të tij e të Çelos dhe jo qethjen e sistemit të drejtësisë nga ata që “duhen varur për mjekre” (në mënyrë metaforike), për këtë tallje që u bëjnë shqiptarëve dhe vrasjen e besimit se ai vend i përbashkët i yni mund të bëhet një ditë, që të jetohet nga ata që jetojnë aty apo të vizitohet e të rikthehen nga ata që ikën prej tij, edhe për shkak të pamjaftueshmërisë së gjithanshme që ka ofruar tërë këto vite.
Fshehja pas gishtit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë për të mos bërë reforma të dhimbshme dekriminalizimi në drejtësi dhe në funksionimin e një sistemi politik të dekriminalizuar, do të jetë një bumerang i dhimbshëm dhe i përgjakshëm elektoral për mazhorancën, së cilës nuk është se i është prishur vetëm imazhi, por po i mbaron edhe ora e rërës.















