Problemet me tekstet shkollore po shtohen dita-ditës, edhe pse fillimi i vitit të ri shkollor është vetëm dy ditë larg.
Veç mungesës në treg të një pjese të madhe librash nga klasa e parë në klasën 12, një shqetësim vjen edhe nga shoqatat e fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian që po detyrohen të blejnë libra dhe jo t’i marrin falas si e përcakton ligji.
Arjan Lile, kryetar i shoqatës “Sfinksi” të minoritetit të egjiptianëve të Shqipërisë për Zhvillim dhe Integrim ka deklaruar për GSH se ata i janë drejtuar edhe Ministrisë së Arsimit dhe nuk po gjejnë zgjidhje.
“Në Babrru, në shkollën 9-vjeçare Azem hajdari, nxënësit e komunitetit egjiptian janë orientuar dhe nxitur të blejnë librat pranë bibliotekës. Janë mbi 60 fëmijë. Po ashtu, bashkia Prrenjas ka 10 shkolla dhe ka 75 fëmijë të komunitetit egjiptian. Librazhdi ka rreth 20 nxënës. Po përballemi me një diskriminim të hapur,” tha ai./GSH















