Rexhep KASTRATI
Edhe pse qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar ka qenë gjithnjë qëndrim në të mirë të përfshirjes së rajonit në NATO, kryeministri serb, i gjendur si duket në një makth të vërtetë për shkak të lojës së dyfishtë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, ka gjetur shqiptarët dhe shtetin aktual shqiptar që t’i konsiderojë si fajtorë për problemet e saj me NATO-n. Mirëpo, duhet të kujtojmë me këtë rast, se për problemet e saj me NATO-n, Serbia duhet të fajësojë veten, popullin serb dhe Rusinë, e jo shqiptarët, pasi që ka fakte publike që dëshmojnë këtë. Një analizë e bërë nga Milan Milenkoviq, për Qendrën Beogradase për Politikat e Sigurisë, në vitin 2012, në mënyrë shteruese ka trajtuar çështjen e anëtarësimit në NATO. Studimi që titullohet: “Pse Rusia kundërshton anëtarësimin e Serbisë në NATO?”, është një studim që duhet të jetë pikë reference për të gjithë ata që duan të njohin realisht raportet e Serbisë me NATO-n, pasi që e ka trajtuar këtë çështje në themel dhe ka nxjerrë konkluzione shumë të rëndësishme që qartësojnë se anëtarësimin e Serbisë në NATO e kundërshton Rusia, vetë shteti serb dhe populli serb.
Sipas këtij studimi, gjashtë janë arsyet që e shtyjnë Rusinë të jetë kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO: 1. Qëndrimi përgjithshëm i Rusisë kundër zgjerimit të NATO-s, e që ka të bëjë jo vetëm me kundërshtimin e anëtarësimit të Serbisë, por edhe kundër të gjitha anëtarësimeve të shteteve të tjera, e në mënyrë të veçantë Gjeorgjisë dhe Ukrainës; 2. Ndërlidhja e anëtarësimit në NATO me integrimet evropiane, sipas të cilit qëndrim, anëtarësimi në NATO përshpejton edhe anëtarësimin në BE; 3. Legjitimimi i intervenimit të NATO-s ndaj forcave serbe më 1999, e të cilin e ka kundërshtuar fuqishëm Rusia; 4. Dobësimi i argumentit të “precedentit të Kosovës”, e të cilin Rusia po e përdor në rastin e rajoneve rusofolëse në Gjeorgji dhe Ukrainë; 5. Anëtarësimi eventual i Serbisë në NATO, përveç tjerash, do të nënkuptonte fundin e qëndrimeve serbe dhe ruse ndaj Kosovës, përkatësisht domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe; 6. Mundësia që nëpërmjet anëtarësimit në NATO dhe në BE, Serbia të kalojë plotësisht kah Perëndimi, edhe në aspektin e ekonomik, me të cilin fakt Rusia do të mund të humbiste në marrëdhëniet tregtare me Serbinë.
Në shumicën e këtyre arsyeve, është e vërtetë se rasti i Kosovës është atuja kryesore e rusëve, pasi që Rusia e ka përdorë rastin e Kosovës për ta larguar Serbinë nga Perëndimi, përkatësisht për ta mbajtur partner strategjik edhe për vijën gjeopolitike Moskë – Det Adriatik, edhe për arsye të sigurisë, por edhe për arsye ekonomike.
Mbështetjen që ia ka dhënë Serbisë për Kosovën, qoftë me kundërshtimin ndaj bombardimeve të NATO-s, qoftë me kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, qoftë edhe me projektin për ndarjen e saj, Rusia e ka përdorur për t’i bërë trysni Serbisë për të mos shkuar kah Perëndimi dhe për të mos e braktisur shtetin rus, gjithnjë duke u bazuar në faktin se “Kosova është pjesë e sovranitetit kombëtar, dhe e mirëkuptimit të ndërsjellë me shtetin mik dhe vëlla”, siç pat thënë ambasadori rus në NATO, Dimitrij Rogozhin. Pra, Rusia ka luajtur shumë me ndjenjat dhe interesat serbe për Kosovën, dhe mbi këtë bazë është munduar të ndërtojë edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Në anën tjetër, përdorimi i rastit të Kosovës nga ana e Rusisë, nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por edhe me vetë NATO-n dhe BE-në, pasi që “precedenti i Kosovës”, u përdor nga shteti rus për të arsyetuar të gjitha angazhimet për zgjerim në Gjeorgji dhe Ukrainë, edhe si përpjekje për të penguar këto dy shtete që të afrohen me BE-në dhe NATO-n. Duke e konsideruar zgjerimin e NATO-s drejt shteteve të Evropës qendrore dhe lindore, dhe ish-anëtare të Traktatit të Varshavës, si të rrezikshëm për çështje të sigurisë, Rusia e konsideronte edhe më të rrezikshëm mundësinë e zgjerimit të NATO-s edhe në Gjeorgji dhe Ukrainë, dy shtete kufitare me Rusinë.
Por kjo ishte vetëm një nga arsyet që e shtynë Rusinë të ndërhyjë ushtarakisht në Gjeorgji dhe të mbështesë me të gjitha mjetet, rajonet rusofolëse në Ukrainë. Përdorimi i “precedentit të Kosovës”, nga ana e Rusisë në raport me NATO-n bëhej dhe bëhet 1: për të penguar vullnetin e shteteve të pavarura që në mënyrë sovrane të përcaktohen për bashkime të ndryshme dhe anëtarësime në organizata të ndryshme; 2. Për të realizuar aneksimin e territoreve të shteteve të pavarura sipas modelit të Kosovës; 3. Që ta vendosë bashkësinë ndërkombëtare para alternativës: ose të njohë vullnetin e rusofolësve për pavarësi nga Gjeorgjia dhe Ukraina, ose të mos e njohë as vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Në rastin e parë, bëhet fjalë për të detyruar shtetet e tilla si Gjeorgjia dhe Ukraina, por edhe të tjera përreth që të jenë nën kontrollin rus, pra të jenë zonë e interesit gjeostrategjik rus; në rastin e dytë, nëse nuk duan ta bëjnë këtë vullnetarisht, atëherë të detyrohen me çështje të natyrës së integritetit territorial, pra që duke ua cenuar integritetin territorial, këto shtete të detyrohen të mbesin nën kontrollin rus; dhe në rastin e tretë, që rasti i Kosovës të mos jetë rast sui generis, por të përgjithësohet dhe të përdoret përfundimisht për t’ia hapur rrugën Rusisë për të gjitha aneksimet e tjera që i planifikon në shtete të tjera përveç Ukrainës dhe Gjeorgjisë, si dhe ta përdorë për të nxitur ambicie të ngjashme edhe në shtetet evropiane. Lidhur me rastin e parë, ka folur mjaft qartë drejtori i Institutit Rus për Hulumtime Strategjike, Leonid Reshetnjikov, i cili ka shpjeguar edhe arsyen e vërtetë se përse
Rusia është kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO, dhe për qëndrimet ndaj shteteve të ndryshme. Në një intervistë për gazetën “Politika” të Beogradit, të dhënë në fund të prillit të këtij viti, Reshetnjikov ka thënë: “Është e natyrshme për shtetet sllave ortodokse të jenë në një federatë me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën. Bullgarët periodikisht kanë qenë andej e këndej. Hapi i Gjukanoviqit (kryeministrit të Malit të Zi), gjithsesi nuk duhet të ndiqet.”.
Pra, është e qartë se mbrapa gjoja shqetësimeve për të drejtën ndërkombëtare, mbrapa gjoja qëndrimit parimor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të rusofolësve në shtetet përreth Rusisë, dhe mbrapa mbështetjes që ia ka dhënë Serbisë në rastin e Kosovës, fshihen ambiciet për të shtrirë sërishmi ndikimin rus në shtetet që dikur kanë qenë pjesë të BRSS-së dhe të Traktatit të Varshavës. Për të realizuar këtë qëllim, Rusia përdori gjithçka që që në krye të atyre shteteve të vijnë njerëz me orientim prorus. Në rastin e Gjeorgjisë, Rusia ndërhyri ushtarakisht në emër të mbrojtjes së rusofolësve të Osetisë, kurse në rastin e Ukrainës, ndoqi rrugën e sanksioneve të gazit për ta përmbysur një qeveri properëndimore në krye me Julia Timshenkon.
Zgjedhja e Viktor Janukoviqit kryetar i Ukrainës, ishte pikërisht rezultat i politikave ndëshkuese ekonomike që Rusia ndoqi ndaj presidentit dhe qeverisë properëndimore ukrainase, si dhe i orientimit të votës së rusofolësve në Ukrainë. Viktor Janukoviq, Ukrainën e orientoi tërësisht kah Rusia Shkarkimi i tij nga posti i kryetarit të Ukrainës për shkak të politikave të tij proruse, në fakt i hapi rrugën angazhimeve aneksioniste të Rusisë në Krime dhe në rajone të tjera rusofolëse në Ukrainë, e që tregon qartësisht se Rusia vetëm formalisht përmend të drejtat dhe liritë e rusofolësve në Ukrainë, ashtu siç kishte bërë edhe me rusofolësit në Gjeorgji, pasi që qëllimi i saj është që në këtë mënyrë t’i detyrojë këto shtete që të mbesin nën ndikimin rus, ose të pranojnë që territore të tyre të aneksohen nga shteti rusi. Dhe rasti i Kosovës është vetëm një arsye formale për të arsyetuar synimet pushtuese dhe aneksioniste të Rusisë kundrejt shteteve të tjera.
Gjithsesi, rasti i Kosovës, nga ana e Rusisë po përdoret edhe për të trembur shtetet e ndryshme evropiane që kanë probleme etnike, se nëpërmjet shndërrimit të pavarësisë së Kosovës në precedent të përgjithshëm, mund të rrezikohen edhe ato, pasi që mund të nxisë kërkesa për pavarësi edhe brenda këtyre shteteve. Dhe kjo ka qenë një nga arsyet se përse shtete si Spanja, Rumania, Portugalia etj., të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Dhe jo vetëm kaq: rasti i Kosovës, krahas interesave të ndryshme ekonomike dhe gjeopolitike e gjeostrategjike kanë bërë që shtetet evropiane të mos jenë plotësisht unike në qëndrimet ndaj angazhimeve ruse për aneksimin e territoreve të shteteve të tjera nga ana e Rusisë, e të cilat senatori Kristofer Marfi i quajti synime të Rusisë për zgjerim, përkatësisht që të miratojnë në heshtje aneksimin e Krimesë nga Rusia, dhe të mos jenë shumë të vendosura kundër angazhimeve të tjera ruse në Ukrainë, e që ka shqetësuar tepër shumë SHBA-të, të cilat duhet edhe të përballojnë synimet ruse për zgjerim, edhe pavendosmërinë dhe mosunitetin e shteteve evropiane lidhur me këto synime. Dhe Serbia si shtet sllavo-ortodoks me shumë rëndësi dhe me një pozitë të rëndësishme gjeopolitike, si dhe me një lojë të dyfishtë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, gjatë historisë ka arritur që të nxisë te shtete evropiane aso qëndrimesh që kanë miratuar të gjitha politikat hegjemoniste të saj që nga shekulli i XIX e këndej. Në fakt, ajo që po ndodh me Evropën në raport me Rusinë, është e njëjta që ka ndodhur me Evropën në raport me Serbinë. Zaten Evropa, për shkak të interesave të ndryshme ekonomike, gjeopolitike e gjeostrategjike të shteteve të ndryshme, historikisht ka tumirë interesat sllavo-ortodokse të rusëve dhe të serbëve në dëm të popujve jorusë dhe joserbë, përfshi edhe shqiptarët. Ishte inkuadrimi i SHBA-ve në gjeopolitikën evropiane dhe botërore ai që bëri së pari të futet parimi i vetëvendosjes së kombeve në të drejtën ndërkombëtare, e pastaj që të shpëtohet shteti aktual shqiptar nga shtetet fqinje, si dhe që të shpëtohen shqiptarët në Kosovë nga shfarosja dhe spastrimi etnik gjatë fundviteve ’90 të shekullit të kaluar. Por e tërë kjo nuk duhet të kuptohet si mbajtje e anës shqiptarëve në dëm të serbëve, ashtu siç Rusia ia ka mbajtur dhe ia mban anën serbëve në dëm të shqiptarëve, pasi që SHBA-të vazhdimisht kanë ndjekur një politikë miqësie dhe ndihme për Serbinë. Duhet të kthej edhe njëherë në vëmendje faktin se presidenti Vudru Vilson bashkë me sekretarin e Shtetit, Robert Lansing, kanë mbajtur një qëndrim tepër miqësor ndaj Serbisë, përkatësisht Mbretërisë SKS në Konferencën e Versajës (1919 – 1921) edhe në raport me shtete të tjera si Italia dhe Austro-Hungaria.
Dhe këtë qëndrim, SHBA-të e kanë treguar edhe gjatë zhvillimeve në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90 dhe deri tash. Angazhimet intervencioniste të NATO-s në krye me SHBA-të nuk kanë pasur asnjëherë për qëllim që ta ndëshkonin Serbinë padrejtësisht, as të cenonin krenarinë e saj, por që të mbronin parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare, liritë dhe të drejtat e joserbëve në Bosnjë dhe në Kosovë, si dhe qenien e tyre biologjike nga veprimet hegjemoniste dhe gjenocidale që regjimi i Milosheviqit kryente mbi të tjerët.. Natyrisht, amerikanët që me kushtetutë e kanë të sanksionuar filozofinë e lirisë dhe të angazhimit për lirinë, nuk mund të mos ishin mbështetës të pavarësisë së Kosovës, jo si dënim për Serbinë, por si mundësi për qytetarët e Kosovës për të jetuar të lirë dhe në mirëqenie. Për shkak të rolit udhëheqës në botë, për shkak të angazhimeve të konfirmuara për liri, demokraci dhe barazi që SHBA-të kanë në botë, dhe për shkak të atyre që thashë më lartë lidhur me qëndrimin e SHBA-ve ndaj saj, Serbia është plotësisht e interesuar që të ketë afërsi me NATO-n në raport me zhvillimet në rajon në përgjithësi, e në Kosovë në veçanti. Përpjekja e Serbisë për të nxjerrë shqiptarët fajtorë për të gjitha që kanë ndodhur në raportet shqiptaro-serbe, qoftë fillimisht si seperatistë që me kërkesën për Republikë donin të shkatërronin Jugosllavinë, e pastaj edhe si kriminelë, drogaxhi dhe të lidhur me ekstremistë islamikë, ka pasur për qëllim që të nxisë te amerikanët ndjenja revolte dhe pakënaqësie ndaj shqiptarëve, dhe të njëjtat t’i përdorë për të fituar mbështetjen amerikane për ndarjen e Kosovës. Duhet të kujtojmë se në Evropë, Serbia ka boll përkrahës të synimit për ndarjen e Kosovës, dhe kanë mbetur edhe SHBA-të që ta përkrahin këtë, dhe ky synim të bëhet realitet. SHBA-të, nëpërmjet ambasadores së tyre në Prishtinë, Trejsi An Xhekobson patën shprehur shqetësimin se nëpërmjet negociatave Prishtinë – Beograd, sidomos lidhur me marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por edhe me tërë atë proces, mund të krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë.
Prandaj, Serbia ka bërë dhe po bën gjithçka që ta ndryshojë qëndrimin amerikan sa i përket ndarjes së Kosovës, përfshi edhe duke i fajësuar shqiptarët dhe institucionet e shtetit shqiptar si penguese të afrimit të Serbisë me NATO-n, e të cilën akuzë nuk është se e hedh poshtë vetëm qëndrimi i vazhdueshëm i shtetit shqiptar pro anëtarësimit të shteteve të rajonit në NATO dhe BE, por edhe të gjitha gjetjet që i ka bërë qoftë edhe studimi i lartpërmendur, i cili sjell edhe një sondazh që më 2011 kishte bërë pikërisht Qendra Beogradase për Politika të Sigurisë, sipas të cilit 66.3% e të anketuarve serbë ishin kundër anëtarësimit në NATO, 18.1% ishin të pavendosur, dhe vetëm 15.6% ishin pro anëtarësimit, e që do të thotë se është vetë populli serb që është kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO. Dhe në këtë vullnet të popullit serb kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO, është vetë klasa politike serbe, dhe Kisha Ortodokse Serbe që kanë nxitur ndjenja të forta proruse e rrjedhimisht edhe kundër NATO-s.
Klasa politike serbe, si dhe Kisha Ortodokse Serbe e kanë quajtur Rusinë “Nëna Rusi”, dhe e kanë konsideruar gjithmonë si mbrojtësen e tyre. Dhe kjo ka ndodhur vazhdimisht, por në mënyrë të veçantë gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar e këndej. Dhe tashmë kur ka ardhur koha që Serbia të qartësojë pozicionin e saj gjeopolitik dhe gjeostrategjik, përkatësisht të përmbyllë ciklin e angazhimeve të tij shekullore, ka mbetur e shastisur, e çoroditur dhe po sillet vërdallë herë ka Rusia e herë kah Perëndimi, dhe për më tepër kur po do edhe Rusinë edhe Perëndimin, nuk i ka mbetur tjetër veç të shpërfaq edhe më tej makthin me shqiptarët, pasi që akuzën si akuzë nuk e besojnë as vetë serbët, e lë më të tjerët.
















