Ditën e sotme, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ka firmosur në Berlin marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Gjermani 2015. Ndërkohë, për palën gjermane marrëveshja u nënshkrua nga sekretari i Shtetit Federal të Punëve të Jashtme, Stephan Steinlein.
Sipas një njoftimi për shtyp, marrëveshja në fushën e artit dhe kulturës, parashikon shkëmbimin e njohurive mbi artin, letërsinë, gjuhën, kulturën, gjeografinë dhe historinë e vendit dhe fusha të përafërta nëpërmjet organizimit të turneve të artistëve dhe ansambleve artistikë.
“Gjithashtu marrëveshja parashikon organizimin e koncerteve, shfaqjeve teatrore dhe shfaqjeve të tjera artistike, zhvillimin e ekspozitave në gjini të ndryshme të artit pamor, brenda të cilave mund të përfshihen ekspoze apo shkëmbime të biznesit e turizmit, si një vlerë e shtuar e këtyre eventeve, dhe nxitjen e kontakteve mes shtëpive botuese, bibliotekave, arkivave dhe muzeve, përkthimet e letërsisë artistike, literaturës shkencore dhe asaj të specializuar”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Në këtë marrëveshje përfshihet edhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Arsimit si dhe institucionet përgjegjëse për median.
Mësohet se, marrëveshja mundëson shkëmbimet kulturore me pakicat kombëtare, mësimin e gjuhës së vendit tjetër përmes ndërmjetësimit dhe dërgimit të kuadrit mësimdhënës, lektorëve, këshilltarëve dhe ekspertëve të ndryshëm të fushës së arsimit, vënien në dispozicion të librave dhe materialeve didaktike, pjesëmarrjen e mësuesve dhe studentëve në kurse formimi dhe kualifikimi, shfrytëzimit të mundësive që ofron radio dhe media televizive në secilin vend për të përhapur gjuhën e palës tjetër.
Gjithashtu, marrëveshja synon bashkëpunimin në të gjithë sektorët e arsimit duke shkëmbyer informacion, përvojë, por edhe delegacione e individë midis institucioneve përkatëse, ndër të tjera edhe të bibliotekave dhe arkivave, duke kërkuar kështu angazhimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por edhe të Ministrisë së Kulturës, të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.



















