Kjo shtëpi i përkiste Dhimitër Bibasë, dhëndrit të Kostandin Kristoforidhit i njohur në lagje si Mim Bibaja, i cili ishte i martuar me vajzën e vetme të tij, Kleopatrën. Duke ju përgjigjur interesit të Thanas Konomit në atë kohë se çfarë mendimi kishte i biri për muzeun e të atit, Filipi, që u martua me një franceze dhe vdiq në mërgim shkruan: “Muzeu – Ju më thoni se pleqënia Elbasanit ka vum ndërment të ngrehi ose të përkthej shtëpin e Mimës ( si muze, aty ku leu im atë.
Ky mendim asht i pëlqyeshëm se dëften një shpërblesë dhe kujtim për dijetarin elbasanas, themeltar i gjuhës shqipe”. Kjo shtëpi shërbeu si muze për Kristoforidhin deri në mesin e viteve ‘90. Më tej ajo humbi funksionin dhe deri më sot praktikisht për themeluesin e gjuhës shqipe nuk ka një muze të mirëfilltë. Stërnipi i Kristoforidhit, Rudolf Deliana, shprehet se ka ardhur koha që gjuhëtari ynë i madh të kthehet në strehën e tij. “Shtëpia ku vdiq nuk ka kurrfarë lidhje me Kristoforidhin.
Nuk ka asnjë të dhënë se në atë shtëpi ka lindur vërtet ai. Dhe kur them asnjë të dhënë e them me bindje, sepse sipas vetë bashkëkohësve që jetuan me të, si Loshi i Pap Mihalit, e kanë kundërshtuar hapur”. Në vitin 1910 Simon Shuteriqi bëri një jetëshkrim të thjeshtë për Kristoforidhin dhe aty ai tregon se gjithçka ka shkruar i ka marrë nga goja e dhëndrit të Kristoforidhit, Mim Bibasë, që gjithashtu e kishte garantuar që deklarimet që bënte i kishte dëgjuar nga vetë goja e Kristoforidhit. Stërnipi i Kristoforidhit shprehet se ekziston shtëpia e vërtetë e lindjes së tij, e cila është mirë që të kthehet në muze sa më parë. “Po. Ka një shtëpi e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me Kostandin Kristoforidhin. Ajo është shtëpia e Dhimitër Bibasë, të cilin e thërrisnin shkurt Mim Bibaja.
Ai ishte i martuar me vajzën e Kostandinit, Kleopatrën. Siç dihet, Kostandini vdiq më 1895. Një vit më vonë vdiq e shoqja, Eleni. Pas vdekjes së Elenit, dorëshkrimet, fjalori, sendet dhe gjithçka mbeti në shtëpinë e Kostandinit i dërguan në shtëpinë e së bijës së tij, Kleopatrës. Këtë e dëshmon edhe Mim Bibaja në kujtimet e tij. Në këtë shtëpi u ruajt edhe dorëshkrimi i fjalorit të Kristoforidhit. Po të mos ishte ruajtur fjalori këtu nuk do të kishim sot një të tillë. Në atë shtëpi u ruajt edhe e vetmja fotografi origjinale e Kristoforidhit nga e cila kanë dalë fotot që qarkullojnë sot. Monumenti që kemi dhe busti i varrit janë kompozim i kësaj fotografie”.
Arsyet e ndërtimit të shtëpisë muze
Intelektualët elbasanas argumentojnë arsyet e kthimit të shtëpisë së Kostandin Kristoforidhit në muze. Rudolf Deliana shprehet se: “Së pari, aty lindi Kristoforidhi, së dyti, banoi e bija e tij Kleopatra, së treti, u ruajt dorëshkrimi i gjuhës shqipe, së katërti, në aspektin arkitektonik, është një ndërtesë origjinale e fundit të shekullit të XVIII, që ruhet ende edhe sot me çardakët, dritaret dhe çatinë karakteristike, që janë fiksuar në foto e kartolina, së pesti ndodhet në zemër të qendrës historike të lagjes “Kala”, aty ku ndodhen shtëpitë karakteristike, rrugët me kalldrëm, institucionet e vjetra fetare, shkollat, shtëpitë ku banuan kolosët e mendimit shqiptar. Pra, parë në këtë këndvështrim kjo ndërtesë i plotëson të gjitha kushtet për të qenë shtëpi muze”.















