“I thamë që s’ishte çasti i duhur, derisa ata që urdhëruan këtë krim të nxirren para drejtësisë… Derisa të ndodhë kjo, ai s’është i mirëpritur në fshatin tonë”, tha kryetari i fshatit Zoran Cirkoviq
Ditën e mërkurë Hashim Thaçi vendosi një kurorë me lule në monumentin e serbëve që u vranë 17 vjet më parë në Grackë dhe tha se të gjithë ata që kryen krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë duhet të ndëshkohen.
“Sot lutem me dhimbje dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat e të gjitha komuniteteve gjatë dhe pas luftës. Çdo krim duhet të zbulohet dhe ndëshkohet. Krimi është krim, pavarësisht se ndaj kujt është kryer dhe se kush e ka kryer”, tha Thaçi.
Katërmbëdhjetë fshatarët, të gjithë meshkuj të moshës 17 deri në 60 vjeç, u vranë më 23 korrik 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Thaçi tha se autorët e krimeve duhen gjetur dhe se fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta duhet zgjidhur, qofshin ata shqiptarë, serbë apo të çdo komuniteti tjetër.
“Të gjithë duhet të punojmë në këtë drejtim. Kemi përgjegjësi ndaj familjeve të tyre dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë. Ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Dhimbja e çdo nëne para humbjes së një anëtari familjeje është e njëjtë”, tha ai.















