Liz Truss njoftoi të enjten se po jepte dorëheqjen nga posti i kryeministres së Britanisë, për shkak të dështimit të programit të saj ekonomik që shkaktoi reagime të forta në tregjet e aksioneve dhe përçarje brenda partisë konservatore, vetëm gjashtë javë pas marrjes së detyrës.
Duke folur jashtë godinës së kryeministrisë në Londër, zonja Truss e pranoi se ajo nuk ishte në gjendje të mbante premtimet që kishte bërë gjatë fushatës për udhëheqëse të Partisë Konservatore dhe se kishte humbur besimin e partisë së saj.
“Duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi, unë nuk mund të realizoj planet në të cilat e kam bazuar mandatin e dhënë nga Partia Konservatore. Për këtë arsye, kam biseduar me Mbretin Charles për ta njoftuar se po jap dorëheqjen nga posti i kryetares së Partisë Konservatore”, tha ajo.
Zonja Truss u ndesh me vështirësi pasi një ministre e kabinetit të saj dha dorëheqjen të mërkurën duke lëshuar një breshëri kritikash për qeverinë dhe pas një votimi kaotik në dhomën e ulët të Parlamentit që solli përplasje mes ligjvënësve konservatorë.
Një plan ekonomik i paraqitur nga qeveria muajin e kaluar shkaktoi paqëndrueshmëri financiare dhe një krizë politike që çoi në zëvendësimin e shefit të Thesarit, ndryshime të shumta të politikave dhe një prishje të disiplinës në Partinë Konservatore në pushtet. Zgjedhjet për kreun e ri të partisë, do të mbahen brenda javës së ardhshme.
“Në mëngjes u takova me ligjvënësin (e lartë konservator) Graham Brady. Ne e u pajtuam që zgjedhjet për udhëheqjen e re të mbarojnë brenda javës së ardhshme. Kjo do të siguronte një mundësi për realizimin e planeve tona fiskale dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik e sigurisë kombëtare”, tha zonja Truss.
Shumë konservatorë këtë javë bënë thirrje që kryeministrja Truss të jepte dorëheqjen, pavarësisht se ajo fillimisht këmbënguli se do të qëndronte në detyrë, duke thënë se ajo “është një luftëtare dhe jo dështake”.
Largimi i saj, lë një parti të përçarë në kërkim të një udhëheqësi që duhet të bashkojë fraksionet brenda saj. Zonja Truss tha se ajo do të qëndrojë në detyrë edhe për disa ditë të tjera, ndërsa ky proces të mbyllet.





















