Gjatë pjesëmarrjes në këtë samit, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka takuar drejtues të shteteve të botës, të organizatave ndërkombëtare e të shoqërisë civile.
Kryeministri Mustafa u takua me Presidentin Clinton, ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright, me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentin e Sri Lankës, Presidentin e Malavit dhe shumë personalitete të tjera të botës.
Më pas, kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar një takim të ndarë me kryeministrin e Samoas, Tuilaepa Malielegaoi.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e ka njoftuar për progresin e arritur në Kosovë, në të gjitha fushat.
Pasi e falënderoi për njohjen dhe përkrahjen e deritashme, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e Samoas për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë përmbylljen e procesit të njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi vullnetin e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Samoan dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral.
Gjatë ditës, kryeministri Isa Mustafa, do të takojë edhe drejtuesit e Bashkimit Evropian, kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues të USAID-it.























