Sipas këtij raporti, Moska ka “mosbesim të thellë ndaj përpjekjeve të SHBA-së për të promovuar demokracinë në gjithë botën”, ndërsa e percepton këtë si “fushatë të SHBA-së për të imponuar një sistem vlerash globale”.
“Pavarësisht modernizimit të suksesshëm ushtarak të Rusisë që nga Lufta e Ftohtë, Moska shqetësohet se përpjekjet e SHBA-së për të diktuar një sërë normash të pranueshme ndërkombëtare kërcënojnë themelet e fuqisë së Kremlinit”, thuhet në raportin e Agjencisë amerikane të Inteligjencës së Mbrojtjes.
“Kremlini është i bindur se SHBA është duke hapur themelet për ndryshimin e regjimit në Rusi, një bindje e forcuar më tej nga ngjarjet në Ukrainë”, thotë raporti, duke vënë në dukje se qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin, ka akuzuar SHBA-në për nxitjen e kryengritjes popullore në Ukrainë. Në vitin 2014, kjo kryengritje ka çuar në rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovich.
Rusia është përgjigjur me ankesimin e paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe me mbështetjen e një lëvizjeje separatiste në lindje të Ukrainës, çfarë ka çuar në përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe aleatët e saj të NATO-s.
Raporti nuk parasheh ndonjë luftë të re ideologjike globale, të ngjashme me Luftën e Ftohtë, por paralajmëron se Moska “synon të shfrytëzojë ushtrinë e saj për të promovuar stabilitet, sipas termave të saj”.
Dokumenti 116-faqesh ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të fuqisë ushtarake të Rusisë, duke thënë se Kremlini ka rindërtuar me sukses ushtrinë, marinën dhe forcën ajrore që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Raporti e portretizon ndërhyrjen e Rusisë në Siri qysh në vitin 2015 si të suksesshme në “ndryshimin e gjithë dinamikës së konfliktit, duke forcuar regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe duke siguruar që asnjë zgjidhje e konfliktit të mos jetë e mundur pa pajtimin e Moskës”.
Përveç forcimit të Assadit, raporti thotë se ndërhyrja ruse në Siri synon të eliminojë elementet ekstremiste islamike, që e kanë origjinën në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik.
“Derisa Rusia vazhdon të modernizohet ushtarakisht, brenda dekadës së ardhshme mund të shfaqet një Rusi më e sigurt dhe më e aftë”, tha drejtori i agjencisë së inteligjencës, Vincent Stewart, në parathënien e raportit.
Raporti është përgatitur përpara zgjedhjes së Donald Trumpit president i Shteteve të Bashkuara.






















