Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një intervistë për lajmi.net duke folur për këtë proces, ka thënë se koha kur është iniciuar reforma zgjedhore nuk është shumë e përshtatshme politikisht, pasi partitë politike janë duke shfaqur mospajtime të mëdha.
Këto takime janë duke u bojkotuar nga partitë opozitare Vetëvendosje, AAK e Nisma, të cilat në vend të diskutimeve për reformën zgjedhore, po kërkojnë nga Presidenti që të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Reforma zgjedhore prek edhe disa ndryshme Kushtetuese, amendamnetimi i të cilave kërkon edhe miratimin në Kuvend, e që sipas Krasniqit një ambient të tillë është e vështirë që ta kalojnë.
Ai ka shpjeguar edhe qëndrimet e KDI-së lidhur me disa çështje të reformës, si zgjedhjen e Presidentit listat, votimi i një kandidati etj.
Lajmi.net: z. Krasniqi, janë mbajtur dy takime për të diskutuar për reformën zgjedhore. A shihni vullnet nga partitë që ky proces të përfundojë dhe të bëhet një reformë e duhur ?
Krasniqi: Koha kur është iniciuar reforma zgjedhore nuk është shumë e përshtatshme politikisht, përkundër që Kuvendi i është kthyer një far normaliteti, partitë politike janë duke shfaqur mos pajtime të mëdha në mes veti gjë që nuk garanton se mund të ketë një reformë gjithëpërfshirëse dhe të pranuar nga të gjithë.
Madje, është e vështirë që në një ambient të tillë të mund të kalojnë edhe ndryshimet zgjedhore të cilat kërkojnë amandamentim të Kushtetutës.
Lajmi.net: Këto takime janë bojkotuar nga partitë opozitare. Si e vlerësoni bojkotimin e tyre kanë të drejtë në arsyet e tyre?
Krasniqi: Është në dorën e vet subjekteve opozitare që të gjykojnë nëse është e arsyeshme që të marrim pjesë në takimet e thirrura nga Presidenti për reformën zgjedhore. Megjithëkëtë, konsideroj se reformimi i sistemit zgjedhor dhe adresimi i shumë të metave të cilat janë identifikuar në të kaluarën dhe kanë quar në ngërçe politike do të duhej të bëheshin para se të shkohej në zgjedhje.
Lajmi.net: Presidenti Thaçi të premten ka propozuar formimin e dy nëngrupeve, që sipas tij punët që kanë të bëjnë me amendamentimet kushtetuese dhe ligjin zgjedhor të përfundojnë brenda dhjetorit. A mendoni se është kohë e mjaftueshme kjo dhe a mund të ketë një punë të mirë?
Krasniqi: Megjithëse është bërë një punë e konsiderueshme nga komisionet parlamentare në legjislaturën e kaluar, në veçanti sa i përket përmirësimit të procesit të administrimit të zgjedhjeve, koha e propozuar nga Presidenti është shumë e shkurtë për të arritur që të analizohen hollësisht të gjitha propozimet që janë bërë. Përveç, nëse tashmë nuk ka diçka që gatshme por që nuk është bërë e ditur për publikun dhe as për ne që ishim të pranishëm në këtë takim.
Lajmi.net: Cili është qëndrimi i KDI-së, për disa nga çështjet e ngritura nga ky proces. Mënyra e zgjedhjes së Presidentit, Listat, zonat zgjedhore dhe pragu?
Krasniqi: Ne KDI kemi bërë shumë analiza dhe hulumtime në vitet e fundit për të parë se cili do të ishte sistemi zgjedhor që Kosovës dhe rrethanave politike dhe shoqërore do të mund t’i përshtatej më së miri. Në vija më të trasha kërkojmë që të ruhet sistemi proporcional me lista të hapura, por që me të drejtë të shprehjes së preferencës vetëm për një kandidat dhe jo 5 sa është aktualisht. Në këtë mënyrë do të kishim një vlerësim më real të peshës së secilit kandidat, do të thjeshtësonim procesin e votimit, të shpejtonim procesin e numërimit të votave, si dhe të zvogëlonim mundësitë për manipulime të votave. Sa i përket pragut, mendojmë që ai duhet të ulët për të iu dhënë më shumë mundësi alternativave të reja politike, për të masur m shumë zërë në Kuvend që përfaqësojnë qytetarët dhe kështu të mund t’i ndihmonim zhvillimit të pluralizmit politik në Kosovë.
Sa i përket mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, kjo nuk do të duhet të bëhej me nxitim pasi ka kohë të mjaftueshme, dhe zgjedhja e Presidentit nuk ka të bëjë asgjë me sistemin zgjedhor për Kuvendin. Personalisht konsideroj se nuk ka nevojë për ndryshim të mënyrës së Presidentit, pasi nuk do të thotë se mënyra e drejtpërdrejtë do të garantoj një President më pak partiak dhe më të pranueshëm për të gjithë. Në raundin e dytë të zgjedhjes mund të fitoj një kandidat që nuk ka përkrahjen e shumicës.
Lajmi.net: Po ashtu ju në takimin e dytë keni propozuar që nënkryetari i komunës ta ushtrojë detyrën e kryetarit në rast se ai humb mandatin. Pse mendoni se duhet të ndodh kështu?
Krasniqi: Arsyeja pse e kemi parë të nevojshme që për zgjedhjet për kryetar të komunës të përfshihen edhe kandidatët për nënkryetar ka të bëjmë me organizmin e shpeshtë të zgjedhjeve në komuna kur kryetarët po humbin mandatin. Mandati i kryetarëve të ri është vetëm për periudhën e mbetur nga kryetari paraprak, dhe jo i plotë prej 4 viteve. Teknikisht mund të ndodh që të organizohen zgjedhjet për një kryetar i cili nuk do të mund të jetë në atë postë për më shumë se disa muaj. Nëse do të garonte edhe nënkryetari, do të kishte legjitimitet që të qonte deri në fund mandatin e lënë nga kryetari pasi që i ka kaluar nëpër një proces të zgjedhjeve dhe kështu ka legjitimitet nga qytetarët.























