Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Transportit dhe Energjisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, që u drejtua nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn.
Ministri Haxhinasto, u shpreh në takim në mbështetje të heqjes së pengesave jo fizike në transportin midis vendeve dhe për liberalizimin e mëtejshëm të tregut. Ai paraqiti punën e gjerë që është bërë nga Shqipëria, në heqjen e këtyre pengesave, duke aplikuar modelin “One Stop Shop”, “Një doganë dhe një pikë kufitare”, që po aplikohet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, shembull që u trajtua si një model që duhet ndjekur nga gjithë rajoni.
Haxhinasto, kërkoi një angazhim më të madh nga ana e institucioneve financiare evropiane, për të investuar në projektet e infrastrukturës rajonale, veçanërisht në “Rrjetin Bazë”.
Haxhinasto: Këto investime janë të domosdoshme të realizohen paralelisht me hapat për liberalizimin e tregut të shërbimeve të transportit në rajon.
Haxhinasto kërkoi veprim të përbashkët për të ulur kostot e kalimit të kufirit në vendet e rajonit, që janë 5 herë më të larta se ato në vendet e BE-së.
Ministri u shpreh se në përputhje edhe me rekomandimet e samitit të Vjenës, Shqipëria po e trajton në mënyrë prioritare çështjen e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor, duke përmendur edhe projektin e Qeverisë Shqiptare, për mirëmbajtjen e 1300 km rrugë me standarde, në vlerën prej 100 milionë eurosh, për 5 vitet e ardhshme.
Ai përmendi gjithashtu vëmendjen për rritjen e sigurisë në rrjetin rrugor dhe situatën e përmirësuar të sinjalistikës dhe të sigurisë në të, që ka sjellë ulje të aksidenteve në rrugë, në përputhje me angazhimet e marra ndërkombëtare.














