Ka përfunduar zyrtarisht në orën 19:00 në të gjithë Kosovën procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka, në konferencën për shtyp pas përfundimit të votimit foli për një një pjesëmarrje prej 42.7%.
Procesi në përgjithësi ka vijuar i qetë dhe pa tensione.
Prokurorja Laura Pula bëri të ditur se 8 persona, disa prej të cilëve komisionerë në qendrat e votimit, u vunë në pranga, pasi kishin nxjerrë apo futur në qendra, fletëvotimi nga jashtë.
4 prej tyre u arrestuan në një qendër votimi në Leposaviq.
Organizata Demokracia në Veprim hodhi gjithashtu akuza se në disa zona janë vërejtur raste ku persona të ndryshëm janë përpjekur të fusin fletë-votimi të plotësuara në kuti.
Pak para mbylljes së kutive të votimit, ambasadorja amerikane Trejsi Xhekobson bëri thirrje për kujdes gjatë procesit të numërimit.














