Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën pasditen e sotme rreth orës 18:00 tek Gjinekologjia Universitare e Kosovës (QKUK).
Një grua shtatzënë e moshës 35-vjeçare është vrarë me thikë në mënyrë makabre nga ish-bashkëshorti i saj.
Bashkëshorti vrasës është Sokol Halili, i cili ka qëlluar disa herë me thikë ish-bashkëshorten e tij, Hamide Magashi, nga fshati Llugagji i Lipjanit.
Sipas të afërmve, çifti ishte kurorëzuar me martesë 4 muaj më parë.
Po ashtu ata theksojnë se për shkak të mosmarrëveshjes Sokol Halili dhe Hamide Magashi ishin divorcuar kohët e fundit.
Motra e viktimës ka treguar jashtë kamerave se për gjashtë muaj, autori e ka mbajtur mbyllur viktimën. Kjo e fundit ishte në pritje të fëmijës së tyre të parë.
Mësohet se autoritet kanë qenë të njoftuar për rastin e abuzimit ndaj viktimës.
Viktima ishte shtatzënë në muajin e fundit dhe priste të lindte nga dita në ditë.
Mësohet se ajo ishte pranuar në maternitet fundjavën që kaloi.
Para se të ndodhë akti makabër, sipas dëshmitarëve ka pasur debate verbale mes ish-bashkëshortëve.
Sakaq, policia ka qenë në dijeni të mosmarrëveshjeve mes burrë e grua. Këshilltarja e ministres së Drejtësisë, Nazlije Bala, për Radio Dukagjini ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra sot në oborr të QKUK-së kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucionet përkatëse.
Ditën e nesërme pritet të mbahet një protestë lidhur me vràsjen e 35-vjeçares shtatzënë në oborrin e maternitetit në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur Rrjeti i Grave në Kosovës përmes një njortimi, ku ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës që fillon në orën 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti.
“Në gjumë, në përditshmëri, në institucione shëndetësore edhe edukative, hapësira publike edhe hapësira private, në parqe, rrugë, brenda mureve të shtëpive tona… Asnjë hapësirë nuk është më e sigurtë për ne!
Në nevojë emergjente për solidarizim me njëra-tjetren dhe njëri-tjetrin, për ngushëllim e manifestim të dhimbjes sonë kolektive, dhe në nevojë për të shprehur mllefin tonë ndaj kësaj dhune sistematike, ku gratë vriten nga burrat, vetëm për shkak që janë gra, ju ftojmë të na bashkangjiteni nesër, në protestë, prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti, Prishtinë.
Brenda një jave, dy burra vranë dy gra. Nuk u vranë gratë! Burrat i vranë gratë! I vranë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta. I vranë sepse kultura e pandëshkueshmërisë, e forcon mendësinë patriarkale!
Prandaj, ftojmë të gjithë ata që bashkëndjejnë të na bashkohen nesër në revoltë! Ja ka me nenshkru Zajednicën”, thuhet në njoftimin e tyre.





















