Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, sot ka udhëtuar drejt Brukselit. Ai pritet që nesër të marrë përgjigjen përfundimtare për heqjen e vizave.
Sipas burimeve të veta, televizioni Rrokum raporton se lajmi ka gjasa të jetë i mirë, ndonëse ende nuk dihet saktësisht.
“Lajmin për liberalizim të vizave, kryeministri Mustafa e merr nesër. Shpresat janë që lajmi me qenë pozitiv”, raporton ky medium, duke cituar një burim të vetin.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar dje, se i pari i ekzekutivit do të udhëtojë për në Bruksel këtë të mërkurë, me qellim të bisedimit për procesin e liberalizimit të vizave.
Ai pritet të takojë edhe presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Aktualisht Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e të cilit nuk kanë liberalizim të vizave.
















