Që nga fillimi i dialogut me Serbinë, delegacioni i Kosovës, asnjëherë se ka pasur si temë të diskutimit çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës. E një gjë e tillë, nuk pritet të ndodhë edhe për një kohë.
Ndonëse ka deklaruar se Kosova do të kërkojë kompensim për dëmet njerëzore, dëmet materiale, kulturore, si dhe dëme të tjera, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë për KTV-në se në këtë fazë të dialogut nuk mund të diskutohet për këtë temë.
“Në këtë fazë, dialogu është i përqendruar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Pra, kjo fazeë shquhet për angazhimet e të dyja shteteve për zbatimin e marrëveshjeve. Kur zbatimi mbërrin një nivel esencial, pra kur nuk mbesin çështje të mëdha të pazbatuara, atëherë do të vijë faza e tretë dhe në atë fazë do të jetë edhe tema e kompensimit të dëmeve të luftës”, ka thënë ajo.
Tahiri shpreson se ky proces do të kryhet në favor të Kosovës.
“Kompensimi i dëmeve të luftës ka ndodhur në praktikat botërore, është i pashmangshëm dhe do të ndodhë edhe në rastin tonë. Nuk mund të them se është një proces afatshkurtër, sipas përvojave të vendeve tjera, por për të ndodhur do të ndodhë”, ka shtuar ajo.
Por, Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë sa i përket dokumentimit të fakteve të ngjarjeve që kanë ndodhur në luftën e fundit.
“Instritucionet e shtetit nuk kanë bërë ndonjë punë në mbledhjen e dokumentacionit dhe provave, në sistemimin e tyre dhe në prezentimin e tyre në mënyrën e duhur, sepse, ndonëse të gjithë e dimë se cilat kanë qenë përmasat e shkatërrimeve në Kosovë, kur vjen puna te një proces gjyqësor, sidomos nëse ai është një proces ndërkombëtar, atëherë duhet të provohen të gjitha ato dëme që janë shkaktuar”, ka thënë Blakaj.
Ai ka shtuar se kjo iniciativë e Qeverisë së Kosovës është e vonuar.
“Mendoj se ky është një proces jashtëzakonisht i komplikuar. Në rend të parë, kam frikë se janë zhdukur edhe provat e dëmeve të luftës të shkaktuara nga pala serbe, gjatë vitit 1998 dhe vitit 1999. Në këtë fazë, kur Serbia ende nuk e njeh Kosovën, nuk e di se si do të zhvillohej një proces i tillë”, ka theksuar Blakaj.
Këtë temë e ka përmendur ditët e fundit edhe kryeministri Isa Mustafa,duke e vlerësuar si një çështje “të rëndësisë së madhe për vendin”.
Mustafa e ka renditur këtë çështje si njërën ndër katër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës për vitin 2016.















