Neglizhenca e institucioneve shtetërore
Nuk ka as bazë ligjore, mungon Ligji për muzetë
Institucionet kosovare duhet të punojnë drejt themelimit të një Muzeu të Luftës së UÇK-së, për të kujtuar njërën nga periudhat më të rëndësishme të kombit. Edhe pse është thënë vite më parë se institucionet do të punojnë në këtë drejtim, çështja e këtij muzeu vazhdon të mbetet vetëm ide. Madje, për një gjë të tillë as që mund të flitet, derisa të kemi një ligj të ri për muzetë në vend, i cili do të krijojë edhe bazën ligjore për një themelimin e tij. Kështu që bërja e vendi me një muze memorial për çlirimtarët do të marrë edhe disa vjet. E, në anën tjetër, studiuesit dhe aktorët e atyre ngjarjeve shprehen se themelimi i një muzeu për UÇK-në, apo luftën çlirimtare për çlirimin e Kosovës është më se i nevojshëm. Sipas tyre, vitet janë duke rrjedhur dalëngadalë dhe për të mos lejuar që ato ngjarje të zbehen nga kujtesa kolektive, duhet një vend për të përkujtuar sakrificën e madhe të fundshekullit të kaluar. Për këtë duhet të kujdeset shteti, i cili, sipas studiuesve dhe njohësve të fushës, duhet të mos kursejë, por të mundësojë krijimin e një muzeu të tillë.

















