Në muajin shtator Kosova duhet të miratojë ndryshimet kushtetutën që mundësojnë funksionalizimin e Gjykatës Speciale.
Për këtë arsye pritet që shtetet mbështetëse të Kosovës të jenë në vijë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka kërkuar që qeveria e re e Kosovës të krijohet sa më shpejt, dhe të kërkojnë që kjo qeveri të jetë sa më gjithëpërfshirëse.
Burime të Indeksonline e shohin si zgjidhjen më të mirë për kapërcimin e ngër[it dhe për ruajtjen e stabilitetit një qeveri të përbashkët të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me një kryeministër teknik.
“Derisa po flitet për tejkalimin e ngërçit politik, ndërkombëtarët na kanë sugjeruar që një Qeveri teknike PDK-LDK-AAK do të ishte ‘shpëtim’ për vendin. E kur merret parasysh edhe themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Speciale që do të merret me gjykimin e mundshëm të krimeve të pretenduara nga raporti i Dick Martyt, atëherë është shumë e besueshme që do të formohet”, ka thënë për Indeksonline një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.
Burimet e kanë përmendur emrin e Blerim Shalës si kandidat për kryeministër të qeverisë teknike. Sipas tyre, e kaluara e tij politike dhe afërsia me të tri partitë e bëjnë Shalën të pranueshëm edhe për ndërkombëtarët.
“Shala mund të jetë i pranueshëm edhe për Ramush Haradinajn, i cili po e kërkon postin e kryeministrit, pasi do të arsyetohej se kryeministri është i AAK-së”, thonë burimet.
Nënkryetari i AAK-së ka qenë edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet politike me Serbinë që janë zhvilluar në Bruksel. Është pikërisht roli i ti si negociator që e bën Shalën edhe më të pranueshëm për ndërkombëtarët dhe vendorët, sepse atë e shohin si politikan të rryer dhe negociator me përvojë. (r.m.)















