Anëtarësimi në Këshillin e Evropës mësohet të jetë hapi i radhës që do të ndërmarrë Kosova. Zyrtarët kosovar thonë se do të aplikojnë së shpejti në mekanizmin e rëndësishëm evropian.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për gazetën “Zëri” se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është hapi i ardhshëm i Kosovës.
“Këshilli i Evropës është institucion shumë i rëndësishëm për Kosovën, duke pasur parasysh aspektet e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, të drejtat e minoriteteve që mbulon kjo organizatë. Kosova ka bërë progres në të gjitha këto fusha dhe anëtarësimi do t’ia mundësonte Kosovës të avancojë edhe më tej. Sidoqoftë, momenti i aplikimit duhet të trajtohet me vëmendje të veçantë dhe do të bëhet në koordinim me institucionet e tjera, në mënyrë që të rezultojë me sukses”, ka thënë Murtezaj.
/E.SH/















