Vendimi i Kosovës dhe Malit të Zi për të lënë pas kontradiktat duke nënshkruar marrëveshjen e përcaktimit të vijës kufitare është pritur me entuziazëm nga diplomatët e mbledhur në Vienë për Samitin e Ballkanit Perëndimor.
Ndonëse një marrëveshje e vogël në kuadrin rajonal, ajo është një hap më shumë që të dy vendet bëjnë drejt plotësimit të kushteve për anëtarësim në hapësirën euro-atlantike.
Ky integrim rajonal është bërë akoma edhe më i rëndësishëm për shkak të rikthimit të influencës dhe kërcënimit të Moskës në Ballkan, 25 vjet pas rënies së komunizmit dhe rrëzimit të Bashkimit Sovietik.
Marrëveshja nuk ka qenë e lehtë dhe ka pasur kritika nga opozita në të dy vendet. Në Kosovë, opozita dhe banorë lokalë e shohin marrëveshjen si dëmtuese për Kosovën sepse ka dhënë më shumë tokë sesa i takon të marrë Mali i Zi. Ndërsa opozita malazeze e sheh këtë marrëveshje i një fyerje tjetër ndaj Serbisë. Për Beogradin, Mali i Zi ka bërë një tradhëti historike ndaj popullit serb duke njohur Kosovën. Minimumi që mund të bënte do të kishte qenë të priste zgjidhjen e çështjes së statusit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përpara se të bënte marrëveshje të tilla.
Nga ana tjetër, qeveritë e të dy vendeve donin të bënin një gjest të qartë për përparësitë e tyre n politikën e jashtme. Kosova po kërkon me këmbëngulje një marrëveshje për stabilizim dhe asocijim me BE-në që do të sillte ndryshime të rëndësishme në pozitën e saj ndërkombëtare. Kurse Mali i Zi po kërkon dëshpërimisht anëtarësimin në NATO.
Kritikët e të dy qeverive shohin mbas këtyre përpjekjeve shpresën e pushtetarëve për të fshehur e legjitimizuar korrupsionin e tyre në shkëmbim të mbështetjes europiane.
Ata kanë të drejtë që vendosin gishtin te problemi i korrupsionit. Zgjidhja e problemeve ndërkombëtare rajonale nuk është arsye për të justifikuar luftën e dobët ndaj korrupsionit. Disa arrestime të bujshme në Malin e Zit ë zyrtarëve të lartë, përfshi edhe vajzën e një ish-presidenti, si dhe arrestimet në Kosovë të një ish-gjykatësi të lartë dhe një prokuroreje të njohur janë shenja se në të dy vendet presioni për të luftuar korrupsionin po i detyron autoritetet të lëvizin disi.
Lufta ndaj korrupsionit nuk është e lehtë pikërisht sepse të korruptuarit kanë lidhje të ndryshme interesash me pushtetarë të fuqishëm. Po nga ana tjetër, kjo luftë gjithashtu nuk duhet të pengojë përpjekjen për zbutjen e konflikteve rajonale. Asnjë nga këto marrëveshje nuk do të jenë ideale. Por ecja e rajonit drejt ndërintegrimit dhe bashkimit me Europën e NATO-n është një proces po aq jetik sa demokracia e brendshme, liria e drejtësia
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















