Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha se ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë opsion i administratës së Donald Trumpit dhe nuk do të jetë opsion as i administratës së Joe Bidenit.
Ai tha se nuk pret që kjo të diskutohet në një të ardhme të afërt, duke pasur parasysh se sa pak mbështetje ka në Kosovë ky opsion.
“Unë e di që kjo nuk do të jetë politika e administratës së ardhshme. Unë e di këtë, sepse ne gjithmonë kemi thënë se nuk do të përpiqemi ta imponojmë një marrëveshje për popullin e Kosovës dhe Serbisë. Ajo që është e rëndësishme është që qytetarët e këtyre dy vendeve, jo vetëm qeveria aktuale, por edhe qytetarët, ta kenë një zë për të ardhmen e tyre. Duke pasur parasysh se sa pak mbështetje ka në Kosovë ndonjë shkëmbim i madh strategjik i territoreve apo ndonjë ndryshim kufiri, thjesht nuk mendoj se do të jetë fokus i debatit kurdo në një të ardhme të pritshme”, tha Kosnett, për mediumin serb në Kosovë, Radio KiM.
Ai tha se është i bindur se zotimet e bëra në Washington nga Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq në Uashington, në muajin shtator, janë ende në fuqi.
“Unë nuk mendoj se detyrimet e Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Hoti të marra në shtator nuk janë më në fuqi. Ne besojmë se këto detyrime do të mbeten në fuqi dhe do të mbesin të vlefshme. Siç thashë, jam i sigurt se do të ketë bisedime shtesë. Jo të gjithë janë të kënaqur me procesin që çoi në ato angazhime në shtator, dhe kërkesa ime është që njerëzit të përqendrohen më pak në procesin dhe politikën dhe të shikojnë se për çfarë janë angazhuar të dy qeveritë. Unë mendoj se këto janë gjëra që krijojnë një mundësi ekonomike për njerëzit në rajon dhe përmirësojnë lidhjet e transportit”, tha Kosnett.
Ambasadori amerikan në Kosovë tha se administrata e Joe Bidenit do të mbetet thellësisht e përkushtuar për përparim në Ballkanin Perëndimor dhe kujtoi deklaratën e Sekretarit të ri të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se e vlerëson punën e bërë nga administrata e mëparshme e SHBA-së dhe nga emisari Richard Grenell në përpjekjen për të përmirësuar marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë.
“Nëse shohim mbrapa gjatë njëzet viteve të fundit, unë mendoj se është e qartë se qëllimet e përgjithshme strategjike të Shteteve të Bashkuara në Ballkan kanë mbetur të njëjtat, qofshin republikanët apo demokratët në Shtëpinë e Bardhë. Ne duam të shohim integrim më të mirë ekonomik në rajon dhe mundësi ekonomike për të rinjtë. Për Kosovën, ne do të dëshironim të shihnim marrëdhënie më të mira me fqinjët, por edhe marrëdhënie më të mira midis komuniteteve brenda Kosovës. Ne duam të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit. Lufta kundër korrupsionit, të madh dhe të vogël. Pra, në një kuptim më të gjerë, politikat tona nuk po ndryshojnë aq shumë dhe ne po përpiqemi ta ndihmojmë Kosovën të bëhet një vend më i vetë-qëndrueshëm, i prosperuar dhe paqësor”, tha ai.
Duke folur për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, ambasadori Kosnett vuri në dukje problemin e mosnjohjes së gjuhës së palës tjetër.
“Unë mendoj se nëse vërtet dëshironi ta kuptoni mentalitetin dhe kulturën e fqinjëve tuaj, ju duhet ta kuptoni gjuhën e tyre, duke marrë parasysh faktin që Kushtetuta e Kosovës thotë qartë se ekzistojnë dy gjuhë zyrtare dhe se njerëzit duhet të kenë të drejtë të shprehen në të dy gjuhët”, tha Kosnett.
Shtetet e Bashkuara presin zgjedhje të lira dhe të ndershme në Kosovë
Duke folur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett theksoi se pret që ato të jenë të lira dhe të drejta.
“Mendoj se në këto zgjedhje, si në çdo zgjedhje në demokraci, gjëja më e rëndësishme është që populli ta ketë të drejtën e votës. Shtetet e Bashkuara, si partnerët e tjerë ndërkombëtarë, po investojnë shumë energji për të siguruar që të ketë kushte të barabarta për të gjithë, që të ketë zgjedhje të lirë dhe të ndershme”.
Duke folur për votimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, Kosnett kujtoi raportin e Bashkimit Evropian të vitit 2019, i cilikishte ngritur shqetësime në lidhje me atë “nëse serbët e Kosovës në Kosovë me të vërtetë kanë një shans për të përfaqësuar vullnetin e tyre”.
Mbështetje për Gjykatën Speciale
Kosnett shprehu edhe qëndrimin e SHBA-së në lidhje me funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Ai tha se kjo gjykatë duhet të veprojë pa presion politik.
“Njerëzit të cilët janë thirrur në gjykatë, si dëshmitarë ose nën hetim, duhet të bashkëpunojnë me të, ashtu si shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës që u paraqitën para gjykatës”, tha Kosnett.
“Unë mendoj se shumë njerëz kryen krime në Ballkan në vitet 1980 dhe 1990, njerëz nga më shumë se një komunitet. Qeveritë në rajon, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, nuk duhet të hezitojnë. Ata nuk duhet të hezitojnë të kërkojnë drejtësi, në çdo drejtim. Unë mendoj se fakti që, megjithëse shumë njerëz në Kosovë nuk e pëlqejnë Gjykatën Speciale, fakti që ajo punon është një shenjë se Kosova nuk ka frikë të kërkojë drejtësi në të gjitha kuptimet”, tha Kosnett.