Ndërsa në Itali situata është bërë mjaft shqetësuese sa i përket përhapjes së koronavirusit, deri më tani nuk ka asnjë shqiptar të prekur. Në Itali jetojnë mbi 800 mijë shqiptarë. Autoritetet vendase kanë shpallur gjendjen e emergjencës,pasi deri më tani kanë humbur jetën 2 persona dhe janë infektuar 130 të tjerë.
Në rajone si Lombardia, Piemonte dhe Veneto janë mbyllur shkollat.
Ndërkohë ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari janë duke ndjekur nga afër situatën e emergjencës. Njoftohet se deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar.
Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteve italiane në situatën e emergjencës.”, ishte njoftimi i ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj.
Ai shtoi se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali do të vijojnë informimin e publikut varësisht prej situatës.



















