Janë dëmtuar dy skulptura të Vasillaq Kolevicës në qytetin e Korçës. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te autoritetet vendore dhe komunitetin intelektual të qytetit, ndërsa ka reaguar edhe zv/kryeministri Niko Peleshi. “Vetëm një shoqëri që e njeh mirë të keqen që e kërcënon, mund të veprojë fort kundër saj. Le ta pranojmë që kemi ende shumë punë për bërë. Nga ndërgjegjësimi i komunitetit për rolin që duhet të luajë ne mbrojtje të pronës e hapësirës publike dhe deri te veprimi energjik i Policisë së Shtetit”, shprehet Peleshi.
Sipas tij, Korça europiane do të jetë një realitet, jo thjesht dhe vetëm kur rrugët dhe sheshet të jenë ‘si në Europë’, por kur kjo që ndodhi me skulpturat sot, t’i dhembë çdo korçari njëlloj, siç i dhemb autorit të talentuar Vasillaq Kolevica. Numri dy i qeverisë ka premtuar edhe 6 skulptura të reja këtë verë, falë Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës.
Ndërkohë, vetë autori Kolevica ka qenë i ashpër në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale. “Vandalë, talibanë, rezilë, skuthë, që i tmerron drita dhe dituria . E sigurt që nuk janë korçare, por jane barbarë!!!!”, ka shkruar Kolevica.















