Konfindustria e konsideron një hap pozitiv shqyrtimin për herë të parë të gjendjes së sistemit bankar në mënyrë të përbashkët nga përfaqësuesit e shumicës dhe pakicës në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit të Shqipërisë në mbledhjen e mbajtur para disa ditësh.
Përmes një njoftimi për shtyp, Konfindustria, i kërkon politikës që të mos qëndrojë në rolin e vëzhguesit, por të marrë masa që të përmirësohet marrëdhënia e biznesit me bankat, në mënyrë që biznesi të ndihmohet me kredi dhe jo të marrë para jashtë sistemit bankar.
“Konfindustria ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin për paaftësinë e dukshme dhe të zgjatur në kohë të sistemit bankar për të mbështetur me likuiditet ekonominë kombëtare”, thuhet në njoftim.
Duke sjellë të dhëna nga kjo marrëdhënie, Konfindustria shprehet se bankat aplikojnë në Shqipëri kushte shumë të ashpra ndaj biznesit për të marrë kredi.
“Të dhënat tregojnë, që kreditimi i ekonomisë vazhdon gjatë gjithë vitit financiar 2014 të jetë në pikën më të ulët historike. Kushtet e kreditimit në Shqipëri vlerësohen nga më të ashprat në vendet e Rajonit pa përmendur vendet e BE-së, duke vënë në kushte mjaft të vështira konkurrence industrinë shqiptare si dhe duke i shtyrë bizneset t’i drejtohen gjithmonë e më shumë tregut informal/fajdeve për gjetjen e burimeve financiare të domosdoshme për vazhdimin e aktivitetit”, thuhet në deklaratë.
Sipas saj, ndërkohë që biznesi vuan për kredi, bankat raportojnë norma të larta fitimi.
“Në mënyrë paradoksale me rritjen mjaft të ulët të PPB-së dhe kreditimin në kufijtë e zeros të ekonomisë, sistemi bankar shqiptar ka ruajtur të lartë normën e fitimit duke treguar qartë për problematikë shqetësuese në mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të tij. Vetëm për 3 mujorin e parë të vitit 2014, sistemi bankar shqiptar raporton për 45 milion euro fitim”, shprehet kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku.
Sipas Konfindustrisë, politika të mos qëndrojë në pozicionin e vëzhguesit në këtë situatë të vështirë për biznesin.
“Komisioni i Ekonomisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë vendimmarrja politike, të mos mbeten vetëm në rolin e vëzhguesit, por në një kohë sa më të shpejtë të fillojnë marrjen e masave të duhura për tejkalimin e gjendjes shqetësuese në përballjen e sistemit bankar me nevojat e ekonomisë kombëtare”, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.













