Konferenca do të mbahet më 2-4 shkurt 2017, në ambientet e hotelit Emerald në Prishtinë, ku janë ftuar ekspertë me ndikim nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, si dhe kompani të ndryshme telekomunikacioni, agjenci të shumta kombëtare, përfaqësues nga CERT-et kombëtare, si dhe njësi e prokurorë për trajtimin e krimeve kibernetike nga vendet e rajonit.
Gjatë tri ditëve të konferencës do të trajtohen tema që kanë të bëjnë me sigurinë e të dhënave dhe ligjin, për sfidat dhe zgjidhjet e problemeve të sigurisë kibernetike, për reduktimin e akteve terroriste përmes përgjimeve të ligjshme, për ndërgjegjësimin mbi sigurinë, për privatësinë dhe të drejtat e mediave etj., për të cilat do të flasin mbi 30 folës vendorë e ndërkombëtarë, që i përkasin fushës së teknologjisë së informacionit, zyrtarë shtetërorë, figura të njohura të botës së televizionit dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha botërore, si: FACEBOOK, GOOGLE, MICROSOFT, HP, ETSI,RSA, CISCO etj., teksa prezantimet do të jenë të ndara në tri sesione.
Krahas kësaj, në ditën e parë të këtij organizimi, paralel me konferencën, do të zhvillohet edhe punëtoria e dytë, e titulluar “Dita kur hakimi është legal III”, me ç’rast hakerët etikë, për tetë orë, do të mundohen të gjejnë viruset dhe zbrazësitë nëpër faqet e internetit, të cilat janë krijuar për këtë qëllim. Si rezultat i kësaj, tash e disa ditë ka filluar organizimi i punëtorive në dhjetëra universitete publike dhe kolegje private, ku do të formohen grupe të hakëreve, që do të prezantojnë universitetet përkatëse në aktivitet. Vlerësimi online dhe transparent i garuesve do të bëhet nga profesionistë të kësaj fushe, në mesin e të cilëve do të jenë edhe disa prej hakerëve, të cilët renditen në pesëshen më të mirë të botës, teksa i tërë procesi do të zhvillohet në një platformë transparente, e monitoruar dhe e mbështetur edhe nga kompania FindBUG.






















