Nga Klodian Tomorri
Ajo që po ndodh me koncesionet në Shqipëri është shumë e dyshimtë.
Të gjitha po kalojnë nëpër të njëjtën skemë. Fitohen kontrata qindra milionë euro të garantuara me ligj dhe pastaj shiten për shuma qesharake.
Koncesioni i skanimit të doganave, një kontrate me vlerë të paktën 200 milionë euro, u shit për 4 mijë e 500 lekë të vjetra. Koncesioni i hemodializës, i cili ka një fitim 120 milionë euro, të garantuara drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, shitet për 30 milionë lekë.
Cila është logjika ekonomike pas këtyre transaksioneve? Si mundet dikush të heqë dorë nga një e ardhur e sigurtë prej qindra milionë eurosh kundrejt 5 mijë lekëve të vjetra?
Në çdo vend normal transaksione të këtij lloji duhet të alarmonin të gjitha agjencitë e inteligjencës dhe krimit ekonomik.
Sepse manovra të tilla financiare përdoren vetëm në dy raste; shmangie taksash ose pastrim parash. Por ka dhe një opsion të tretë. Kanalizim ryshfeti.
Një zyrtar i maxhorancës, i cili publikisht indinjohet shumë nga korrupsioni dhe padrejtësitë kërkoi hetim për ndërrimin e pronësisë se koncesionit te doganave.
Shpresoj që do ketë të njëjtin zell të kërkojë hetim edhe për këtë transaksionin e ri. Ose të paktën të kërkoj ndonjë seancë dëgjimore në Parlament.
Minimalisht komisioni përgjegjës për buxhetin duhet të dije sa taksa ka fituar shteti nga ky transaksioni i fundit.























