A mund të besohet se mund të kemi propagandë apo lobim, kur ambasadat shqiptare në botë konsiderohen si vend pune “jashtë shtetit”, kur përfaqësuesit e asaj force politike që nuk di të jetë në opozitë, vazhdojmë “të jenë në punë” si zyrtarë të shtetit shqiptar prej vite e vitesh e askush nuk guxon “t’u bëjë zë”… A mund të kemi lobim kur disa ambasadorë “lobojnë” që të mos shkojnë në gjyq, për shkak të vonesës së pagimit të qerave të ambasadave, se pagat edhe mund të vonohen, ato pagat qesharake… kur ekspertë dhe diplomatë të zotë dhe të dëshmuar, janë edhe të papunë sepse dikujt iu është mbushur mendja se mund të jenë me bindje “të gabuara” politike…
Petrit Kuçana
Ka shpërthyer një komunikim thuajse tërësisht “autik” mes nesh që ka një rezyme të përbashkët; “Në Beograd ne kishim të drejtë”. Janë shumë leksione që u nxorren prej aty, por duket se pak ose aspak po mundemi të mësojmë prej tyre. Nuk ka asgjë të keqe nga debatet e brendshme, por ajo që vërehet dhe është shqetësuese, qëndron në faktin se po merremi kaq shumë me njëri-tjetrin dhe nuk po mundemi kurrsesi të dalim jashtë këtij lloj komunikimi, të pafajshëm apo fajtorë.
Nëse u harruam në festimet e natës së madhe “të fitores”, thjesht nevrikosemi kur mendojmë se një pjesë e madhe e opinionit botëror vazhdon të mendojë se vëllai i kryeministrit tonë, është shkaktari i trazirave në Beograd, që banderola e “Shqipërisë së madhe” e dirigjuar prej tij, ishte shkaku që solli ato farë pasojash.
Mbase u befasuam pak dhe nuk menduam se makineria e fuqishme e propagandës serbe, ishte shumë hapa para nesh, e mbase disave u erdhi në kujtesë koha e Millosheviçit kur kryente masakra në Kosovë dhe në opinionin botëror flitej për separatistët shqiptarë…
Lajmi vjen sërish nga fqinjët se na qenkan të frikësuar se në Shqipëri… u rrezikuakan nga ISIS. Gol i bukur? Padyshim.
Nuk dihet nëse do të mjaftonin si argument i kundërt fjalët e Papës në Sheshin “Nënë Tereza”, pasi deri në OKB është shtruar prej tyre (bashkë me rusët) kohë përpara shqetësimi nga ekstremizmi fetar i Shqiptarëve…
“Win-win situation” është perceptuar versioni serb për ripërsëritjen e ndeshjes pa tifozë shqiptarë, që shkon drejt devizës “as të humbur as fitues”, që e ruajnë nga marrëveshja e Dejtonit.
Racizmin serb nuk mund ta gjesh diku në përmasën që pati. Lobimi shqiptar vazhdon të jetë thjesht pikë diskutimi. Në fund të fundit i takon përfaqësuesve tanë, (rrogëmarrësve ) për këtë punë.
Por problemet e thekshme politike të brendapërbrendshme e zbehin shumë çdo shpresë për lobim, pasi tek ne vazhdon të ketë probleme konsolidimi i shtetit. (aspak evropian)
A mund të besohet se një ambasadori shqiptar “nuk i jepet leje” nga Ministria e Jashtme, për të marrë pjesë në një takim tepër të rëndësishëm në SHBA ku flitet për besën shqiptare? Harruam lobimet? “Nuk iu dha leje” që të dilte në stacionet më prestigjioze si BBC, pasi shteti nuk e njeh si ambasador. Pra ne kemi ambasadorë “të padëshirueshëm” për ekzekutivin shqiptar.
A mund të besohet se mund të kemi propagandë apo lobim kur të paktën tre ambasadorë të shtetit shqiptar, nuk njihen nga po vetë ekzekutivi shqiptar, ku prej ardhjes në pushtet të tyre vazhdojnë marrëdhëniet e ngrira, duke shënuar precedentin e parë në historinë e diplomacisë shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit?
A mund të besohet se mund të kemi propagandë apo lobim kur ambasadat shqiptare në botë konsiderohen si vend pune “jashtë shtetit”, kur përfaqësuesit e asaj force politike që nuk di të jetë në opozitë, vazhdojmë “të jenë në punë” si zyrtarë të shtetit shqiptar prej vite e vitesh e askush nuk guxon “t’u bëjë zë”… A mund të kemi lobim kur disa ambasadorë “lobojnë” që të mos shkojnë në gjyq, për shkak të vonesës së pagimit të qerave të ambasadave, se pagat edhe mund të vonohen, ato pagat qesharake… kur ekspertë dhe diplomatë të zotë dhe të dëshmuar, janë edhe të papunë sepse dikujt iu është mbushur mendja se mund të jenë me bindje “të gabuara” politike…
A duhet filluar nga këtu?
Kur në Londër vendoset busti i Skënderbeut edhe në hartat lokale, ndërkohë që Ministria e Kulturës nuk ia jep lekët skulptorit, madje i ka humbur edhe dosjen…
Hiqe mos e këput?… E turpshme?
Tragjikomike…
Kush e mban mend lajmin e fundit për mikun e madh të shqiptarëve Tony Bler? Vazhdon të jetë këshilltar falas? A është ky momenti që na duhet më shumë?
Pas gjithë këtyre duket se është kthyer në një theqafje, ajo që u konsiderua si vizita historike e kryeministrit shqiptar në Beograd. E shtyrë prej të paktën 6 herësh për shkak të papërshtatshmërisë (e përcaktuar si e tillë nga mikpritësit), kësaj here demostativisht u shty duke u shtrirë përtej qarqeve diplomatike apo pritshmërive që prek edhe kufijtë e te papranueshmes. Duket se zëri i kancelares nuk e zbuti aq shumë tonin e kryeministrit Vuçiç, aq më tepër në prag të vizitës së Putinit.
Pavarësisht se ndeshja e futbollit, u shërbye si argument, për mos-pritjen e kryeministrit shqiptar, korridori diplomatik u ngushtua kaq shumë, sidomos pas deklaratave të zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, ku nuk u kërkua thjesht që Shqipëria t’i kërkojë falje Serbisë,por nga presidenti serb u fyen rëndë shqiptarët, që edhe 100 vjet nuk do të mund të bëheshin…
Moszhdërvjelltësia e kryeministrit tonë, qëndrimet e luhatshme që duket si motiv të vetëm kishin demonstrimin e tij si njeriu i ri i Ballkanit, jashtë kostumeve të ngushta nacionaliste të gadishullit, nuk mund të pranohej prej serbëve, megjithë buzëqeshjen e kancelares gjermane.
Nuk besohet se ka një europianist apo kundërshtar fanatik që është kundër takimeve të tilla, por a është ky momenti më i mirë?
Mbase do të jetë takimi më i vështirë dhe qëndrojnë plotësisht argumentet se serbët nuk mund të pranojnë që një shqiptar të jetë orakulli i flladit evropian që do të freskojë dejet e tyre të nxehta ballkanike. Pavarësisht sfondit nga vjen udhëheqja e Beogradit, në fund të fundit u dëshmua se ata nuk mund të kapërdijnë realitetin e ri ballkanik (së paku i perceptuar) që pas luftës së NATO-s në Kosovë, që shqiptarët mund të jenë faktor (që dejure janë, por defakto duhet pyetur njëherë përfaqësuesit e “popullit qiellor”)
Serbët dëshmuan se nuk mund të dalin mbi emocionet nacionaliste, ku krenaria serbe mbetet e paprekshme dhe që u artikulua qartë nga përfaqësuesit e tyre.
Nuk dihet nëse heqja e një statusi në facebook të kryeministrit , fill pas ndeshjes, apo telefonatat me qendrat e vendosjes ia qetësuan sadopak “shqelmin” kryeministrit serb, i cili u shpreh se do të priste fundjavën për të menduar nëse do ta ftonte apo jo kryeministrin Rama në Beograd.
Ajo që duket qartë është se rrugicëza nga duhet të kalojë kryeministri është ngushtuar kaq shumë, saqë nuk mund të arrihet të gjendet një argument se pse duhet tani kjo vizitë. Vizitë për hir të vizitës? Ok. Nuk do të jenë më 68-vjet që një kryeministër shqiptar shkon në Beograd… Kaq? Rezultati? Marrëveshjet? Nuk është artikuluar akoma ndonjë impakt i kësaj vizite, përveç faktit se “duhet” të tregojmë se ne jemi europianë dhe se kemi një kryeministër europian…
A nuk mund ta tregojmë ndryshe? Detyrat e shtëpisë? Bojkoti? Opozita? Vendimet e gjykatës kushtetuese?
A do të mundë kryeministri ynë të flasë së pari për viktimat e Republikës së Shqipërisë gjatë kohës së luftës, ku sipas statistikave nga minat serbe të hedhura në brendësi të territorit Republikës së Shqipërisë, janë 268 viktima, prej të cilëve 34 të vdekur dhe pjesa tjetër të sakatosur që vuajnë sot e kësaj dite? Po për dëmet e tjera? Thua preket krenaria serbe për këtë të vërtetë?
A mund të flasë për shqiptarët që jetojnë në Serbi? Ka ndonjë lajm për spitalin që do të ndërtohej në Preshevë, apo do të mjaftohet me një “valle” si bashkë-kryeqeverisësi i tij?
Mos është thjesht kjo vizitë dëshmia se kryeministri ynë nuk mundi të shkëlqejë me mungesën e tij, por thjesht u transformua rëndom në procesin gjetherënës të vjeshtës ballkanike, ku duket se dimri do të vazhdojë të jetë i gjatë (megjithë sponsorizimin e Evropës), ku duket se rrugët ndërballkanike do të vazhdojnë të mbeten të ngushta, me kthinat e imponuara nga malet e larta mes popujve.
















