Përfaqësues të Kombëtares serbe kanë mbajtur një konferencë për mediat në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë që do të zhvillohet mbrëmjen e së enjtes në Elbasan Arena.
Zëvendësi i Federatës serbe të Futbollit, dekalori për mediat se lojtarët e kombëtares serbe janë hasur me një incident rrugës për në Tiranë, pasi nga Rinasi është qëlluar me gurë autobusi i tyre.
Sipas tij, nga goditja me gurë pati dëmtim të autobusit, por policia ka ndërhyrë menjëherë. Zv.presidenti i Federatës serbe ka bere me dije se lidhur me këtë incident kanë vënë në dijeni UEFA-n.
Ndërkohë, trajneri i Kombëtares serbe, Radovan Çurçiç vlerësoi kombëtaren shqiptare si një ekip i fortë dhe i konsoliduar.
“Kombëtarja jonë është ende në formim, ndërsa Shqipëria ka një skuadër të konsoliduar. Shqipëria është një ekip fortë dhe jo më kot është në vendin aktual në grupin tonë”, tha ai.
Kapiteni i Kombëtares serbe, Ivanoviç u shpreh se, edhe pse kjo ndeshje shkon përtej futbollit, ata kanë ardhur në Shqipëri vetëm për të luajtur futboll dhe për ta fituar ndeshjen.
“Kjo ndeshje i kalon caqet e futbollit. Ne duam ta fitojmë këtë sfidë, kemi ardhur vetëm për të luajtur futboll. Nëse do të ndryshoja gjë nga Beogradi është rezultati. Nesër pres të jemi dy herë më mirë se në Beograd. Nuk pres që tifozët të na duartrokasin”, tha kapiteni i përfaqësueses serbe.
















