Nga Mero Baze/
Spiralja e dështuar e negociatave në të cilën Partia Demokratike kërkon të fusë propozimin final hibrid të SHBA për reformën në drejtësi, është një mënyrë për të fshehur “veton” që Sali Berisha ka vënë kundër reformës në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Në negociatat e djeshme mes kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe kryetarit opozitës, Lulzim Basha ka kërkuar firmën e Edi Ramës dhe Ilir Metës mbi dokumentin e tij, që përmes atij dokumenti të bënin të tre betejë kundër draftit të SHBA. Natyrisht një gjë e tillë nuk është pranuar, pasi është kundër interesit kombëtar të Shqipërisë, që liderët e vendit të krijojnë një “besëlidhje” antipernidimore, në vitin 2016.
Qysh nga fillimi i betejës për reformën në drejtësi, Partia Demokratike nuk ka tentuar të bëjë asnjë kompromis, por ka kërkuar vazhdimisht kompromise nga pala tjetër. Dhe kur i ka marrë të gjitha, ka shpikur më në fund dhe tezën e sovranitetit dhe luftën kundër mbikqyrjes perëndimore të procesit të Vetingut.
Së fundmi, pas presionit ekstrem të SHBA dhe kërcënimit për “instruksionet specifike nga Uashingtoni” për liderët politikë kundër reformës, duket se Basha në përpjekje për t’i shpëtuar goditjes, ka nxjerrë në bisedime konfidenciale me zyrtarët perëndimorë, emrin e Sali Berishës, si adresa e duhur me të cilin ata duhet të flasin për të zgjidhur situatën.
Pas Uashingtonit, edhe Brukseli pritet t’i bëjë të ditur nesër Bashës, rreziqet me të cilat do të përballet Partia Demokratike në raport me Bashkimin Europian dhe Partitë Popullore Europiane, nëse nuk voton reformën, dhe pasojat që do të ketë dhe Shqipëria në këtë aspekt.
Berisha nga ana e vet, edhe pse ka heshtur ne Facebook këtë javë, është autor i tezave të “sovranitetit”, që PD dhe Basha përpiqen të mbrohen në shtyp. Ai është partizan i tezës se “Shqipëria nuk është Sierra Leone” dhe se nuk do të lejojë “poshëtrimin e Shqipërisë” nga ndërkombëtarët me këtë reformë.
Nga ana tjetër, ai ka akuzuar Edi Ramën si njeri që i ka kundërvënë Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, duke konsideruar Shqipëri, vetëm familjen e tij, që është kundër reformës.
Dy ditë para votimit në Kuvend, reforma po mbahet qartësisht peng nga Sali Berisha, duke provuar tezën, se Partia Demorkatike ka tre vite që po shërben vetëm si një studio gjigande avokatie për Sali Berishën dhe familjen e tij. Ajo po sillet si një dyzinë shërbëtorësh në sarajet e Sali Berishës, dhe është në shërbim të halleve dhe maktheve të tij.
Prandaj më shumë se sa për reformën në drejtësi, brenda Partisë Demokratike është koha të formohet një bërthamë që duhet të ruajë dinjitetin e PD dhe të mos e kthejë PD në një fis të Sierra Leones, që sakrifikohen të gjithë për kokën e kryetarit të fisit.
Ky është konfrontimi më i madh historik që PD-së i ka ndodhur me SHBA, më i madh edhe se ai i vitit 1997, kur PD ishte në pushtet. Ndërsa në atë kohë PD futi Shqipërinë në luftë për kolltukun e Berishës, sot PD po fut kokën në gijotinë për të shpëtuar kokën e Berishës dhe familjes së tij. Është koha për të zgjedhur ëndrrën mbi të cilën u themelua PD, dhe që ishte Shqipëria europiane dhe SHBA, dhe ëndrrës së Berishës për ta kthyer PD në një fis primitiv, ku ai të vdesë si kryetar i fisit. Kohë më të mirë se sa të zgjedhësh mes SHBA e BE nga një anë, dhe Sali Berishës nga ana tjetër, nuk ka!






















