Forca të shtuara të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë vendosur para Klinikës Infektive në QKUK.
Ndërkohë, dyshohet se mbrëmë kanë vdekur katër persona si pasojë e mos punimit të respiratorëve.
Është raportuar se në këtë klinikë ka shkuar edhe prokurori. Ndërkohë, ekipi i Mjekësisë Ligjore është duke i larguar trupat e pajetë.
Ndërkohë, dyshohet se ka raste të reja të vdekjes të personave të prekur me Covid-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë të shtunës ka regjistruar 178 raste të reja me koronavirus – njëherësh shifra më e lartë e infektimeve ditore, që prej paraqitjes së rasteve të para me këtë virus, në mars të këtij viti.
Më herët gjatë ditës së shtunë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës njoftoi për gjashtë viktima nga koronavirusi. Por, në njoftimin e IKSHPK-së, raportohet edhe për dy raste të reja të vdekjeve, duke e çuar në 66 numrin e përgjithshëm të viktimave.