Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Urania Pirovska, deklaroi se numri i lartë i këtyre incidenteve dëshmon në vend mungon toleranca mes komuniteteve
Në ditën Evropiane të Viktimave të Krimit të Urrejtjes, Komiteti i Helsinkit (KH), raporton se në Republikën e Maqedonisë në një vit janë regjistruar 175 krime të nxitura nga urrejtja, 128 prej të cilave me motive etnike. Drejtoresha e KH-së, Urania Pirovska, deklaroi se numri i lartë i këtyre incidenteve dëshmon në vend mungon toleranca mes komuniteteve.
“Sot dolëm me të dhëna se në platformën e Komitetit të Helsinkit janë regjistruar 175 raste dhe incidente të nxitura nga urrejtja. Madje 128 prej tyre kanë motive etnike. Rastet e fundit të lidhura me rastin “Monstra” edhe një herë e vërtetuan se si janë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Viktimat e këtyre rasteve, shumica janë pjesëtare të dy grupeve më të mëdha etnike, asaj maqedonase dhe shqiptare dhe në të shumtën e rasteve janë të mitur”, deklaroi Pirovska.
Komiteti i Helsinkit kritikon gjithashtu shtetin maqedonas për mosregjistrimin e rasteve të nxitura nga urrejtja dhe mosdënimin e tyre me qëllim parandalimin.